Gostivari komuna më aktive me masa kundër Koronavirusit

Komuna e Gostivarit, në vijim të masave të marra për parandalimin e përhapjes së koronavirusit edhe sonte bën larjen e rrugëve në qytet. Larja ka filluar rreth orës 21:00, ndërsa në rrugët e qytetit ndodhen punonjësit e Ndërmarrjes Publike Komunale “Komunalec” dhe ato të Njësitit Territorial Kundër Zjarreve – Gostivar, të cilët të ndarë në grupe do të lajnë rrugët deri në orët e hershme të mëngjesit të sotëm.

Në qytet ndodhen 15 punonjës të ndërmarrjes komunale dhe të zjarrfikësve të ndarë në katër grupe me katër automjete speciale për larjen e rrugëve.

Deri më tani kemi larë në tërësi rrugën Kej Vardar, qendrën e qytetit, rrugën nga Pallati i Kulturës deri te Stacioni i autobusave, rrugën e Dibrës dhe disa rrugë lidhëse me të sipërpërmendurat. Vazhdojmë kështu deri kur të fillojë frekuentimi i automjeteve dhe këmbësorëve në mëngjes.

Edhe mbrëmë ndërmarrjet publike komunale bënë larjen intensive të rrugëve kryesore të qytetit dhe dezinfektimin e kontejnerëve për mbeturina, ndërsa ky aksion do të vazhdojë dhe do të intensifikohet edhe në ditët në vijim. Pastrimi dhe dezinfektimi do të bëhet kryesisht në orët e mbrëmjes që mos pengohet lëvizja e qytetarëve.