Ekipet profesionale të NPK të Gostivarit dhe të NP “Ujësjellësi dhe Kanalizimi” – Shkup po hartojnë një plan për rikthimin në funksion të ujësjellësit të Gostivarit. Plani parashikon kontrolle të vazhdueshme të cilësisë së ujit në disa pika publike, ndërsa Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski thekson se furnizimi me ujë do të rikthehet vetëm pasi të konfirmohet se ai është plotësisht i sigurt për përdorim. Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë ka kërkuar nga Qendra për Shëndet Publik të dorëzoje të gjitha mostrat e ujit të marra gjatë vitit, së bashku me datat dhe lokacionet përkatëse.
“Ndërmarrja Publike Komunale si dhënëse e shërbimit është e obliguar me ligi për
cilësinë e ujit. Pyetja është se nëse NPK e ka kryer atë punë sepse Qendra për Shëndet Publik-Tetovë, njësia në Gostivar e ka marrë raportin për kryerjen e kontrolleve, mirëpo ajo është me një numër të kufizuar mostrash në nivel vjetor. Në kuadër të atyre mostrave në nivel vjetor QShP i ka marrë mostrat dhe ne tani po analizojmë vendet ku janë marrë ato, sepse kjo do të na duhet për te planifikuar hapat e mëtejmë”, tha Klekovski.
Kryeministri Hristijan Mickoski, lidhur me gjendjen e krizës së shpallur në Gostivar dhe mekanizmat e mbështetjes institucionale që do të ndërmarrë Qeveria, tha se prioritet është sigurimi i ujit teknik për banorët, e më pas edhe furnizimi me ujë të pijshëm për amvisëritë në Gostivar.
“Është e rëndësishme që tani, pasi situata po merret gradualisht, por me siguri, në dorë pas periudhës së neglizhencës që kishte komuna, institucionet shtetërore fillimisht të sigurojnë ujë teknik, e më pas edhe ujë të pijshëm. Për pjesën tjetër po vepron Prokuroria. Të gjithë ata që mbajnë përgjegjësi për këtë rast do të merren në pyetje dhe, natyrisht, do të ndërmerren masa ndaj tyre. Deri më tani janë identifikuar tre persona si përgjegjës. Sipas informacioneve që kam, tashmë janë caktuar masa sigurie. Institucionet, si rrallëherë më parë, kanë reaguar në kohën më të shpejtë të mundshme”, tha Mickoski.
Autoritetet apelojnë deri te qytetarët qü të të vazhdojnë të ndjekin rekomandimet e institucioneve kompetente.



