Gostivarasi 65-vjeç humb 22 mijë denarë nga profil i rremë në rrjetet sociale

Mashtrimi me kriptovaluta në Gostivar: 65-vjeçari bie pre e profilit “E.K.”, humb mijëra denarë
​GOSTIVAR – Një 65-vjeçar nga rrethina e Gostivarit ka rënë pre e një skeme mashtrimi në rrjetet sociale, duke humbur një shumë prej 22.000 denarësh. Sipas denoncimit të bërë në polici, viktima ishte joshur nga ideja e tregtimit me kriptomonedha përmes një profili me iniciale E.K.

​Ngjarja ka nisur me një pagesë fillestare prej 12.000 denarësh, të cilën i moshuari e ka depozituar në bankë në emër të personit M.K. Menjëherë pas kësaj, mashtruesit e kanë njoftuar se ai kishte fituar një shumë të madhe parash, por që për t’i tërhequr ato, duhej të paguante edhe 10.000 denarë të tjerë si tarifë.

​Pasi ka kryer edhe pagesën e dytë, 65-vjeçari ka marrë sërish mesazhe ku i kërkoheshin para shtesë. Në këtë moment, ai ka kuptuar se ishte viktimë e një mashtrimi dhe ka njoftuar menjëherë policinë. Sektori i Punëve të Brendshme në Gostivar po punon për dokumentimin e plotë të rastit dhe identifikimin e autorëve pas profileve false.