Goshnica e vetmuar: Rrugët e fshatit i ka kapluar heshtja

Nusret Sulisi

Shkup 7 maj – Banorët e mbetur jetojnë me shpresën që e ardhmja do t‘ju rikthej jetën që kishin dikur. Janë ata që zgjohen çdo ditë duke ëndërruar qe të shohin njerëz nëpër rrugët që i ka kapluar heshtja. Njerëzit e mbetur merren kryesisht me bujqësi e blegtori, ndërsa thonë se nuk kanë kushte për të punuar diçka tjetër

– Është e kotë të trokasësh në dyer të mbyllura kur nuk mund të gjesh njeri në atë shtëpi. Banorët ka vite qe e kanë lënë të shkretë shtëpinë sikur se edhe shumë të tjerë. Ishin kushtet ekonomike, papunësia, infrastruktura katastrofale, mungesa për të pasur një qendër shëndetësore, janë ndër arsyet që kanë detyruar banorët e fshatit Goshincë që të braktisin atë tash e disa dekada me radhë. Banorët e mbetur jetojnë me shpresën që e ardhmja do t’ju rikthej jetën që kishin dikur. Janë ata që zgjohen çdo ditë duke ëndërruar qe të shohin njerëz nëpër rrugët që i ka kapluar heshtja. Njerëzit e mbetur merren kryesisht me bujqësi e blegtori, ndërsa thonë se nuk kanë kushte për të punuar diçka tjetër.

Në këtë fshat kodrinoro malor që shtrihet 18 kilometra ne veri të komunës së Likovës dhe se si stina e pranverës vjen më ndryshe se ne zona tjera. Ndonëse një vend i braktisur natyra të habit me madhështinë dhe bukurinë e saj magjepse e male të bukura që lënë gjurmë në mendjen e secilit vizitor. Ky fshat qe shtrihet buzë maleve të bukura të Karadakut dikur kishte rreth 60 shtëpi ndërsa tash nuk janë as 10 shtëpi me rreth 50 banor e banorët qe nuk patën fatin t’i qëndrojnë besnik vendlindjes u shpërngulen ne vende tjera e disa emigruan. Me të hyrë në këtë fshat mund te shihni disa shtëpi të banuara por karakteristik e veçantë janë shtëpitë e vjetra e të pa rrënuara, kështu qe vizitimi i tyre na mbush me ndjenja e kujtime për një kohë qe nuk është më.

Sokol Sinani është njëri nga ata banorët e atyre familjeve që vite më parë kanë braktisur fshatin për shkak të kushteve të vështira që mbizotëronin në atë kohë. Ai rrëfen për jetën e lumtur që kishin banorët e këtij fshati. “Ishte fshat i lumtur, të gjithë ia kishin zili, në fushat e fshatit kulloste bagëtia, binte fyell i bariut, binte çiftelia. Edhe rrugët e fshatit ishin plot bagëti, kishte një dyqan ku mblidheshin të rinjtë. Ky fshat malor shumë herë ka luftuar, e sot e braktisë e lanë të vetmuar”, shprehet Sinani. Ai thotë se për çdo ditë e viziton vendlindjen mandej edhe ka hapur një kafeteri në fshat me shpresën se do te gjallërohet përsëri. Ai shprehet skeptik se brezat e ri do të jetojnë këtu. Sinani shprehet se sikur rruga te kish qenë e asfaltuar fshati nuk do te vinte ne këtë gjendje. E po ti pyesësh banoret se për çka kanë nevojë, ata kanë vetëm një përgjigje: rrugë dhe rrugë dhe vetëm rrugë.

Nga Komuna e Likovës thonë se po përgatitet projekti për sanimin e rrugës të fshatit Goshincë, por nuk dhanë detaje se kur do të fillojnë punimet. (INA)