Gonzato: Mafia shqiptare rrezikon sigurinë e qyteteve evropiane

Ambasadori i BE në Shqipëri, Silvio Gonzato e pranoi se krimi i organizuar shqiptar po kthehet në një shqetësim në rritje në BE.

Jo vetëm kaq, por ai tha se mafia shqiptare e drgoës kërcënon sigurinë e qyteteve evropiane.

“Ky po bëhet një shqetësim në rritje në shtetet anëtare të BE-së. Roli që luajnë rrjetet shqiptare, për shembull, në trafikun ndërkombëtar të drogës ka ndikim edhe në sigurinë e disa qyteteve në Europën Veriore. Ndaj, kjo vlerësohet jashtëzakonisht shumë.

Së dyti, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit është një nga elementët kyç për vlerësimin e gatishmërisë së Shqipërisë për t’u bashkuar me Bashkimin Europian,” tha Gonzato në një intervistë për Dojçe Velen.

“Ne mendojmë se duhet bërë më shumë për anën parandaluese në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Kjo është arsyeja pse, për shembull, në kuadër të “Themeloreve”, një nga masat që u miratua së fundi nga Shqipëria, si pjesë e këtij hapi fillestar në procesin e anëtarësimit, ishin kriminalizimi i pastrimit të parave. Kjo do të jetë një mënyrë e rëndësishme edhe për të minuar financiarisht disa nga aktivitetet e paligjshme që kryejnë këto rrjete. Pra, ne presim që qeveria të miratojë jo vetëm strategji për parandalimin e korrupsionit, por edhe të zbatojë masa konkrete në këtë drejtim,” shtoi ai.

© SYRI.net