Goditja që i dha “Toka” Azem Sylës / Askush nuk ka guxim ta dënojë?!

Një nga skandalet më të mëdha të pasluftës, dhe procesi hetimor që ka zbuluar një nga skandalet më të mëdha, është rasti “Toka”.

Aq i rëndë ishte ai procesi sa mori disa muaj, vetëm për kapjen e të dyshuarit kryesor Azem Sylës, ish shefit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, me seli në hotelin “Rogner” në Tiranë.

Azem Syla, deri atëherë ishte njeri i paprekshëm nga drejtësia. Kur u dha urdhërarresti për të, ai provoi të ikte gjithandej. Një kohë u tha se ishte në Shqipëri, pastaj fshihej në vende të ndryshme ne Kosovës, derisa me shumë gjasë, pas negocimit me të ose me ndërmjetës nga drejtues shteti, ai u dorëzua. Arrestimi i tij i parë ndodhi me 29 prill të vitit 2016 nga njësitet e EULEX-it.

Ai do të arrestohej për herë të dytë brenda vitit, sepse pas lirimit nga burgu, gjatë arrestit shtëpiak u provua, se ai ishte përpjekur të ndikonte tek dëshmitarët.

Ai po ashtu është një nga figurat që akuzohet shumë për vrasjet politike që kanë ndodhur në luftë dhe pas saj. Edhe në aktakuzën e gjykatës speciale, ai përmendet si një nga anëtarët e ‘ndërmarrjes kriminale’. Ai është intervistuar nga gjykata speciale, por deri më tash nuk ka ndonjë fletarrest.

Azem Syla ka nisur karrierë si aktivist politik në vitet e ’80-ta, kur edhe burgoset, ndërsa deri në krijimin e PDK-së, ai ka qenë një nga njerëzit me shumë ndikim në Lëvizjen Popullore të Kosovës (LPK).

Azem Syla si pjesë e PDK-së, për dy mandate ishte zgjedhur deputet në Kuvendin e Kosovës, por këtë të dytin nuk e çoi deri në fund. Më 28 prill të vitit 2016 ai dha dorëheqje nga ky post për shkak se po hetohej si pjesë e një grupi të krimit të organizuar.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur dy aktakuza, njërën me 17 persona dhe tjetrën me 22. Në këtë të fundit që është ngritur më 24 tetor 2016, përfshihet edhe Azem Syla.

Syla dhe 38 personat e tjerë akuzohen për veprat penale: krim i organizuar, pastrim i parave, marrje e mitos, mashtrim i rëndë, mashtrim në detyrë, nxjerrje të vendimeve gjyqësore të kundërligjshme, keqpërdorim i pozitës zyrtare, legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar dhe evazion fiskal.

Rasti “Toka”, ka pasur zvarritje të shumta

Shumë seanca kanë dështuar të mbahen për shkak se mungonin avokatët, e në disa raste të akuzuarit. Gjithashtu disa seanca kanë dështuar për shkak të moskompletimit të trupit gjykues.

Të akuzuar në këtë rast bashkë me Azem Sylën janë Shaban Syla, Shpresim Uka, Fahredin Gashi, Ramadan Uka, Arton Vila, Avdyrrahim Brajshori, Gazmend Gashi, Sabedin Haxhiu, Lumnije Sopjani, Nyrtene Brajshori, Sami Macedonici, Ndue Palushi, Ramdan Mavraj, Lubisha Vujovic e Elheme Uka.

Të njëjtit akuzohen për pastrim parash, krim i organizuar, mashtrim i rëndë, keqpërdorim i pozitës zyrtare, marrje të mitos, mashtrim në detyrë, nxjerrje të vendimeve gjyqësore të kundërligjshme, legalizim i përmbajtjes së falsifikuar dhe evazion fiskal, të gjitha këto me qëllim të tjetërsimit të pronave shoqërore.

Aktualisht në rastin “Toka”, kryetar i Trupit Gjykues është Beqir Kalludra. Anëtarë të Trupit Gjykues janë Lutfi Shala dhe Violeta Namani, ndërsa Naim Abazi prokuror.

Në lidhje me këtë temë për “Bota sot”, kanë folur analistët politikë, të cilët kërkojnë përmbylljen e procesit dhe që të jepet verdikti pasi provat duket se ekzistojnë për këtë krim të organizuar.

Mehmeti: Duhet të vihet drejtësi për të akuzuarit në rastin “Toka”

Faton Mehmeti në vlerësimin e këtij rasti, në një prononcim për “Bota sot”, thotë që Azem Syla vazhdon të mbetët i lirë pasi nuk kemi drejtësi të pavarur.

“Azem Syla është i lirë sepse drejtësia është e kapur nga vet ai dhe klani “Pronto”. Derisa nuk kemi drejtësi të pavarur, të pa ndikuar nga politika, shumë azema do të mbesin të lirë, ndonëse e kanë vendin në burg. Azem Syla është vetëm maja e Ajzberugt në rastin e tokave, në të cilën janë përfshirë thuaj të gjithë ish-zyrtarët e lartë të PDK-së, disa nga ta akoma janë në kryesi të saj”, u shpreh ai.

Më tej, Mehmeti thotë që pas luftës janë bërë shumë zhvatje dhe se drejtësia duhet të vihet për të gjithë ata që dëmtuan vendin.

“Në këtë kuptim, s’ka dyshim se Azem Syla dhe plotë të tjerë janë të lirë, pasi drejtësia akoma nuk është çliruar nga kthetrat e tyre. Pas luftës, afera “Toka” nuk po flas vetëm për rastin e Azem Sylës, por në përgjithësi dallaveret që janë bërë më tokat, janë zhvatje e hapur që i është bërë vendit tonë. Nëse një ditë do të ketë drejtësi të pavarur, Azemi dhe shokët e tij do ta kalojnë jetën në burg, jo në liri, të cilës i kanë shumë borxhe”, thotë Faton Mehmeti për “Bota sot”.

Krasniqi: Të dëmtuarit të kërkojnë llogari nga shteti për dëmet e rastit “Toka”

Avokati Islam Krasniqi në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që të dëmtuarit në këtë rast duhet të kërkojnë kompensim nga shteti.

“Shteti është i obliguar t’i kompensojë të gjithë ata që janë të dëmtuar nga falsifikimi i pronave apo paluajtshmërisë. Të dëmtuarit duhet të kërkojnë nga shteti kompensimin e dëmit, po ashtu fitimin e humbur, pavarësisht se dëmi është shkaktuar nga veprimi i individit, i cili edhe mund të jetë kryes apo recidivist i veprës penale, pasi që pengimi apo mos lejimi i shfrytëzimit të pronës së tij është krim”, tha avokati.

Ai tutje thotë se kompensimi duhet të kërkohet nga shteti për mashtrimet që kanë kaluar.

Nga ana tjetër avokati shprehet se individi është i pafajshëm derisa të merret aktgjykimi, për këtë arsye kërkohet sa më shpejt të del e vërteta në shesh.

“Andaj kompensim duhet të kërkohet nga shteti sepse ato mashtrime kanë kaluar edhe nëpër institucione shtetërore pavarësisht presionit të individit, po ashtu edhe individi që e ka kryer veprën penale është i pafajshëm derisa të merret aktgjykimi i formës së prerë, duke privatizuar apo shitja e pronës së huaj ka kaluar nëpër institucione publike, saktësisht përmes AKP-së apo ndonjë zyreje noteriale, e që këtu nuk është përgjegjësia individuale, por nëse mund apo lejohet ta quajmë përgjegjësi kolektive”, përfundoi Islam Krasniqi për “Bota sot”.