Ekrem Ramadani nga Tetova kërkon që Gjykata e Apelit ta marrë parasysh rastin e djalit të tij tashmë të ndjerë pasi që nuk është i kënaqur me vendimin e Gjykatës së Tetovës. Sipas Ekremit djali i tij është viktimë e një aksidenti në magjistralen Tetovë-Shkup, ndërsa shkaktuesi i aksidentit është dënuar me dënim minimal me 1 vit burg.
“Fajtori është dënuar me një vit burg , unë nuk jam aspak i kënaqur si prind, se të marrësh një jetë dhe të dënohesh me një vit burg, kjo është shumë e ulët”, tha Ekrem Ramadani, babai i viktimës.
Ekremi kërkon që Gjykata e Apelit ta çojë drejtësinë në vend.
“Djali ka lënë tre fëmijë jetim dhe ata nuk kanë ekzistencë tjetër se babai ka punuar për ta, unë marr pension 9 mijë denarë dhe nuk mund t’u ndihmojë. Unë kërkoj që gjykata e apelit të sjell drejtësinë në vend”, tha Ramadani.
Aksidenti ka ndodhur para 13 muajsh, ku sipas të të afërmeve të tyre M.A 34 vjeç, duke ju shmangur një kamioni, ka hyrë në korsinë ndihmëse të autostradës ku i ndjeri kishte ndaluar për shkak të defektit të makinës, ku edhe është goditur nga vetura. Si pasoje F.R ndërroi jetë në vendngjarje. Sipas vendimit të gjykatës tashmë i dënuari e ka pranuar fajin, dh ndërsa gjatë dënimit janë marrë parasysh rrethanat lehtësuese për shkak se është baba i dy fëmijëve.