Gjyqi për shpërthimin në Ibër-Lepenc do të nisë më 24 dhjetor

Gjykimi ndaj tre të akuzuarve për shpërthimin në kanalin e Ibër-Lepencit është caktuar që të nisë më 24 dhjetor.

Seanca fillestare ndaj vëllezërve Dragisha dhe Jovan Viqentijeviq dhe Igor Dimoviq do të mbahet në orën 09:30 të 24 dhjetorit, tha për Radion Evropa e Lirë zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.

Më 9 dhjetor, Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi për ngritjen e aktakuzës ndaj tre të pandehurve për shpërthimin që ndodhi më 29 nëntor 2024 në fshatin Varragë.

Prokuroria i ngarkon të pandehurit me veprat penale të “rrezikimit të rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve publike, “kryerjes së veprës terroriste”, “armëmbajtjes pa leje” dhe “spiunazhit”.

Aktakuza thotë se vëllezërit Viqentijeviq, së bashku me persona ende të panjohur, “pas një marrëveshje paraprake, kanë vendosur eksploziv [rreth 20 kilogramë të llojit Trinitrotoluene ‘TNT’] në brendësi të kanalit”.

Sipas Prokurorisë, vëllezërit Viqentijeviq e kishin aktivizuar lëndën shpërthyese përmes një çante që e kishin lidhur me litar në një shtyllë betoni, “ku si pasojë është dëmtuar rëndë struktura e betonit të kanalit Ibër-Lepenc, është shkaktuar ndërprerje e furnizimit me ujë të pijshëm, është rrezikuar prodhimi i energjisë elektrike”.

Ndërmarrjes Ibër-Lepenc, sipas aktakuzës, i është shkaktuar një dëm prej afër 400 mijë eurosh.

Jovan Viqentijeviq, po ashtu, akuzohet për spiunazh. Sipas Prokurorisë Speciale, deri në momentin e arrestimit ai ishte i rekrutuar nga Shërbimi Informativ Ushtarak i Serbisë dhe mbante gradën e togerit.

Prokuroria tha se ai e kishte ndihmuar këtë shërbim “duke mbledhur informacione dhe dokumente të klasifikuara me qëllim që të njëjtat t’i përdorë gjatë aktivitetit të tij të kundërligjshëm në territorin e Kosovës”.

Në hetimet këtë rast, Kosova ka bashkëpunuar me partnerë evropianë dhe ata amerikanë.

Lidhur me shpërthimin, autoritetet kishin arrestuar dhjetëra persona të dyshuar dhe kishin sekuestruar armë dhe eksplozivë.

Por, deri më tani dihej se për këtë rast ishin dërguar në paraburgim vëllezërit Dragisha dhe Jovan Viçentijeviq.

Ndërmarrja Hidroekonomike Ibër-Lepenc, furnizon me ujë disa qytete të Kosovës dhe Korporata Energjetike e Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj. Kjo ndërmarrje është në pronësi të plotë të Qeverisë së Kosovës.

Menjëherë pas shpërthimit, autoritetet në Kosovë fajësuan Serbinë se qëndron pas kësaj ngjarjeje, por akuzat u mohuan nga Beogradi.

Më 10 dhjetor, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha se të dhënat e inteligjencës tregojnë se tre serbët e akuzuar për shpërthimin në Ibër-Lepenc kanë qenë të lidhur ngushtë me strukturat shtetërore të Serbisë.

“Tashmë është në rrugë të mbarë hetimi i këtij rasti, ku janë siguruar prova se pikërisht tre serbët e akuzuar ishin në vendin e ngjarjes natën kritike, për ç’gjë falënderoj institucionet përkatëse të Republikës së Kosovës dhe FBI-në nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për punën profesionale të kryer në këtë rast”, tha Kurti përmes një postimi në Facebook.

Sipas tij, gjykimi në këtë rast “do ta dëshmojë se të akuzuarit ishin pjesë e strukturave ilegale të Serbisë, të lidhur ngushtë me mikun e [presidentit të Serbisë Aleksandar] Vuçiqit, terroristin Millan Radoiçiq, dhe strukturat tjera shtetërore të Serbisë që planifikuan dhe urdhëruan sulmin terrorist”.

Kurti iu referua ish-nënkryetarit të Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në vend, Millan Radoiçiq, të cilin autoritetet kosovare e kërkojnë me fletarrestim për vepra të ndryshme penale, përfshirë për një sulm vdekjeprurës kundër Policisë së Kosovës në veri të vendit më 2023.

Radoiçiqit e mori përgjegjësinë për atë sulm ku u vra një rreshter kosovar.

Gjatë përleshjeve që pasuan u vranë edhe tre sulmues serbë./REL