Gjykimi ndaj Trump-it do të nisë, seanca e parë në mars 2024

Gjykimi i ish-presidentit amerikan Donald Trump me akuzën se falsifikoi informacione biznesi për të mbuluar paratë e paguara për të heshtur porno yllin Stormy Daniels do të fillojë më 25 mars të vitit të ardhshëm, vendosi dje gjykatësi Juan Merchan në gjykatën e Manhattan.

Gjatë seancës dëgjimore, ish-presidenti amerikan u shfaq përmes një video-lidhjeje nga Florida.

Trump është deklaruar i pafajshëm për 34 akuza për falsifikimin e dokumenteve të biznesit. Ish-presidenti ka qëndruar i heshtur gjatë seancës dhe gjyqtari ka folur vetëm me dy avokatët e tij.

Sipas raporteve të mediave amerikane, Trump me ngurrim ngriti duart kur u shpall data e gjyqit, pasi gjyqi do të fillojë pikërisht në kohën e zgjedhjeve paraprake të partisë të vitit të ardhshëm.

Merchan kaloi pjesën më të madhe të seancës 15-minutëshe duke shqyrtuar një urdhër të lëshuar më 8 maj, i cili përcakton rregullat bazë për sjelljen e Trump në lidhje me gjyqin. Ai e informoi Trump për kufizimet ndaj tij duke paraqitur publikisht disa prova të ofruara nga prokurorët.

Trump mund të flasë për rastin dhe të mbrohet, tha ai, por nuk mund të përdorë provat për të sulmuar dëshmitarët ose për të postuar dokumente të ndjeshme në mediat sociale.

Nëse shkel urdhrin, përballet me kallëzim penal për mospërfillje të gjykatës. Prokurorët thanë se një urdhër i tillë ishte i nevojshëm për shkak të historisë së sulmeve të Trump në mediat sociale dhe rrezikut që dëshmitarët mund të ngacmoheshin.