Gjykimi i protestuesve te “Monstra”: Gjykata lejon, policia refuzon familjarët e Fabio Idrizit dhe Arton Sadikut

Në Gjykatën e Shkupit po zhvillohet seancë Gjyqësore kundër Fabio Idrizit dhe Arton Sadikut, të cilët akuzohen për përdorim të dhunës ndaj policisë në protestat kundër rastit “Monstra” të mbajtura më 26 korrik.
Gjykimi ka filluar me një skandal. Edhe pse gjykatësi ka lejuar, policia ka refuzuar babain e Idrizit dhe Sadikut të prezantojnë në seancën gjyqësore.
“Gjykatësi cakton se kush mund të futet në sallë. Ai tha se mund të hyjnë, por policia i pengoi pa kurrfarë arsyetimi”, deklaroi avokati Asmir Alispahiq për Gazetën Lajm, i revoltuar për këtë sjellje “skandaloze” të policisë.

Ndryshe, Idrizi dhe Sadiku kanë mohuar veprën për të cilën akuzohen, e madje kanë demantuar që fare kanë marë pjesë në protestë.
“E pyes policin, që thotë se unë e kam sulmuar, a më ka parë mua personalisht, pyeti Fabio Idrizi. Në vend të policit, u përgjigj përfaqësuesja e prokurorisë, e cila tha se polici veçmë është përgjigjur se ka marë goditje prej mbrapa dhe se nuk i ka parë sulmuesit.
Mirëpo avokati Alispahiq e sqaroi pyetjen duke thënë se pyetja është nese polici i ka parë fare në protestë ose jo.
Avokati i policit tha se ai është nisur për në shtëpi dhe se gjendet në autobus. Mirëpo gjykatësi insistoi që polici të zbresë nga autobusi dhe të kthehet, prandaj u dha pauzë 20 minuta.