Gjykatësi i Apelit, Gjoko Ristov, për pothuajse dy dekada ndan drejtësi në emër të qytetarëve. Vetëm vitin e kaluar ai ka mbi 300 aktgjykime dhe vendime në Gjykatën e Apelit të Shkupit, të cilat janë publikuar në bazën gjyqësore. Vendimi i fundit që e ka nënshkruar me kolegët daton nga 9 janari i këtij viti, shkruan Prizma, transmeton Portalb.mk.
Nga dita e diel emri i tij në vend të aktgjykimeve qëndron në urdhëresën për hetim për fshehje të pasurisë dhe për pastrim parash.
Nga ajo që dihet deri më tani është se gjykatësi një vit ka qenë në shënjestër të prokurorisë. Ai u bë i dyshuar pasi motra e Ljupço Pecov – “Gjavollot”, i akuzuar në rastin “Zinxhir“, i dha 50 mijë euro avokatit të tij dhe ish-avokatit të shtetit, Fehmi Stafa, për ta korruptuar gjykatësin Gjoko Ristov me qëllim që vëllait të saj t’i shfuqizohej masa e paraburgimit.
Një muaj pas arrestimit të Stafës hetuesit në shtëpinë e prindërve të Ristovit gjetën paketime të mbështjella me alumin me kartëmonedha me një vlerë të pëgjithshme prej 350 mijë eurosh, të cilat nuk ishin deklaruar.
Në uebfaqen e Gjykatës së Apelit të Shkupit nga data 2 dhjetor ka një vendim të Këshillit të Gjykatësve, ku bënte pjesë edhe Ristovi, me të cilin refuzohet kërkesa e Pecovit për t’u liruar nga paraburgimi.
Por, nga Prokuroria pretendojnë se disponojnë me prova me të cilat do të vërtetojnë se ka pasur një lidhje ndikimi mes gjykatësit dhe avokatit.
Për momentin nuk ka konfirmim se paratë e gjetura te prindërit e gjykatësit janë nga ryshfetet e marra. Avokatët e tij për mediat njoftuan se paratë e prindërve ishin siguruar nga shitja e tokës.
Por, shumë kohë para këtij hetimi, që në kohën kur Ristovi ishte gjykatës i shkallës së parë, në korridoret e gjykatës kishte histori të ndryshime me dyshime për veprimet e tij në raste të caktuara. Në Këshillin Gjyqësor për të kishin arritur edhe parashtresa formale, të cilat ose ishin hedhur poshtë, ose kishin përfunduar me sanksione të lehta.
I avancuar unanimisht
Në brifingun me gazetarët, prokurorja Iskra Haxhivasileva tha se kishte kohë që përpiqej që t’i hetonte këto ankesa që vinin për gjykatësin: nga dëshmitarët, e deri te mesazhet në telefonat celularë të të burgosurve… Ajo hetimin e quajti “mozaik”.
Duke gjykuar nga periudha që po hetojnë, prokurorinë e intereson periudha nga viti 2020 e këtej. Kjo është periudha kur Ristov u avancua si gjykatës i apelit.
Edhe pse hetimi ndaj tij është i ri, në publik prej kohësh ka pasur dyshime për veprimet e tij. Ristov është gjykatës i shkallës së parë që nga shkurti i vitit 2008. Në vitin 2009 ai filloi të gjykojë lëndë në Departamentin për krimin e organizuar dhe korrupsionin.
Kjo është periudha në të cilën ai gjykonte lëndë “të nxehta”: aferën “Spiuni”, rastin për ndërmjetësimin për marrjen e pensioneve “Metastaza”, rastin “Izgrev” për mashtrim dhe shpërdorim të detyrës zyrtare dhe autoritetit.
Disa nga këto raste u gjykuan edhe nga gati 20 vite, aktgjykime të tjera u anuluan dhe të akuzuarit u liruan. Për disa të tjera për shkak të vjetrimit lëndët u ndërprenë.
Kritika e parë publike e kohëve të fundit për punën e tij erdhi nga VMRO-DPMNE-ja e atëhershme opozitare, e cila e kritikoi aktgjykimin që Ristov e dha për ish-kryetarin e Shuto Orizares, Kurto Dudush, në vitin 2019. Ai pranoi se kishte sulmuar një person gjatë mbajtjes së Ballos Rome, për çka iu dha vetëm vërejtje gjyqësore. VMRO-DPMNE-ja atëkohë akuzoi se “drejtësia e Zaevit po i liron dhunuesit si Dudush”.
Një vit para se të vishte togën e gjykatësit të Apelit, Qeveria bashkëshorten e tij e zgjodhi si avokate të shtetit për zonën e Shkupit.
Gjatë viteve ai disa herë ka aplikuar për gjykatës të Apelit, si dhe për kryetar të Gjykatës Penale, por nuk u zgjodh. Deri në vitin 2020 në kohën kur në pushtet ishte LSDM-ja.
Atëherë u bë gjykatës i Apelit si i katërmbëdhjeti nga njëzet kandidatët në listë. Para tij kishte gjykatës të tjerë të ranguar më mirë, por ata nuk u zgjodhën.
Këshilli Gjyqësor vendimin për zgjedhjen e Ristovit e mori unanimisht, me 12 vota.
Viti i parë në Apel i turbullt
Vetëm një vit pas avancimit si gjykatës i Apelit, Ristov në një këshill gjykues me gjykatësin Enver Bexheti, emri i të cilit përfundoi në listën e zezë të SHBA-ve dhe i cili më vonë u shkarkua, dhe Tanja Milevan vendosën ta lironin Sasho Mijallkovin nga paraburgimi.
Kjo nuk do të ishte e pazakontë sikur të mos dihej se e njëjta përbërje gjykatësësh gjashtë muaj më parë e kishte refuzuar garancinë e Mijallkovit.
Në vendimin e parë në muajin qershorit të vitit 2021 gjykatësit nuk e pranuan garancinë prej 11 milionë eurosh, ndër të tjera, sepse paraprakisht Mijallkovi nuk ishte i qasshëm për 24 orë për arrest shtëpiak në rastin “Target-Fortesa”.
Në dhjetor të vitit 2021, nga ana tjetër, vlerësuan se “identiteti i të akuzuarit është përcaktuar dhe i njohur, ai ka krijuar familje të ngushtë dhe është prind i dy fëmijëve”.
Në të dyja rastet prokurori i lartë publik propozoi që të mos pranohej garancia e Mijallkovit.
Për këtë reagoi ministri i atëhershëm i drejtësisë, Bojan Mariçiq. Nga tre gjykatësit që vendosnin për Mijallkovin, ai i thirri publikisht Bexhetin dhe Ristovin, gjë që mbase do të thotë se “kundër” vendimit për lirimin nga paraburgimi kishte votuar vetëm gjykatësja Mileva.
Sipas fletës së pronësisë Ristov ka deklaruar se posedon një “Passat” 13 vjet të vjetër të cilin e ka vlerësuar 10 mijë euro. Ai ka një kredi prej 25 mijë eurosh që e paguan për 20 vjet. Kredi ka deklaruar edhe bashkëshortja e tij.
Vendimi për Mijallkovin nuk ishte rasti i vetëm kur u problematizuan vendimet e tij.
Ristovi ishte pjesë e këshillit me gjykatëset Tanja Mileva dhe Lirie Elezi Ajrullau, kur vendosën ta lironin nga arresti shtëpiak ish-sekretarin e përgjithshëm të Qeverisë, Dragi Rashkovski, me një garanci në pronë prej 192 mijë eurosh.
Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit konstatoi se lartësia e garancisë së ofruar nuk ishte e mjaftueshme. Ky argument nuk i bindi gjykatësit, kështu që ata e pranuan garancinë dhe shkruan se ajo ishte: “shumë e mjaftueshme dhe reale me të cilën do të sigurohej prania e të akuzuarit”.
Emri i Ristovit në publik u lakua edhe dy vjet më vonë, në vitin 2023, kur biznesmeni Fijat Canoski me djalin dhe avokaten e tij, në një konferencë për media e akuzuan gjykatësin Ristov se e kishte shkelur afatin ligjor që, si gjykatës raportues, ta hidhte lëndën në votim pas seancës publike për rastin e shembjes të kompleksit “Kosmos”.
Disa sinjale, sanksion i dobët
Në muajin maj të vitit të kaluar, Këshilli Gjyqësor e ndëshkoi Gjoko Ristovin me ulje të pagës prej 15% për tre muaj, sepse e kishte vlerësuar aktakuzën e PSP-së në rastin “Titanik 3” kundër Ismet Gurit dhe Ejup Alimit, ndërsa më pas nuk kishte dorëzuar kërkesë për përjashtim kur lënda kishte arritur për vendosje në Gjykatën e Apelit.
Ai atëkohë kundërshtoi duke thënë se kërkesa për përgjegjësinë e tij ishte e vjetruar. Ristov, në mbrojtjen e tij, e sulmoi aktakuzën e PSP-së dhe tha se “edhe një laik në drejtësi do të qeshej dhe do të habitej me një aktakuzë të tillë”. Siç tha ai, sktgjykimi që u dha ishte për ta kënaqur publikun dhe “dëshirat e dikujt”.
Burime nga Këshilli Gjyqësor për BIRN njoftojnë se atëkohë vetëm dy anëtarë votuan “për” shkarkimin. Dhjetë anëtarë të Këshillit ishin për atë që Ristov të ndëshkohej me një gjobë më të lehtë në para.
Krahas kësaj, për Ristovin në Këshillin Gjyqësor kishte arritur edhe një ankesë tjetër e cila u hodh poshtë, si dhe një shkresë nga punonjësit në Apelin e Shkupit. Këshilli Gjyqësor vendosi se aty nuk kishte pretendime që i vërtetonin veprimet e tij të paligjshme.
Herën e fundit Këshilli Gjyqësor vendosi për Ristovin para pak ditësh. Unanimisht ia hoqën imunitetin dhe e pezulluan përderisa zgjat hetimi.



