Gjykata njohu Bashën si kryetar, nuk dorëzohet Berisha – tregon si do regjistrohet në zgjedhjet e 6 marsit

Ndërkohë që Gjykata e Tiranës ka njohur Lulzim Bashën si kryetar të Partisë Demokratike, Sali Berisha ka treguar sesi do të vazhdojë procedurat që ai të marrë pjesë në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit. I pyetur nga gazetare se çfarë rruge do të ndjekë, Berisha u shpreh se “gjithçka do të bëhet, por ne nuk na pengojnë”.

Ndërsa i pyetur nëse do të ketë një aleancë me LSI, Berisha u shpreh se negociatat vazhdojnë.

Pyetje: Do keni LSI aleatë, i mbyllët negociatat me aleatët?

Berisha: Negociatat janë ne vazhdim dhe ne do ti fitojmë këto zgjedhje. Këto janë zgjedhje ku ndeshet qytetaria me kleptokracinë. Periodikisht, kanë bërë rregulla vetme që të më kufizojnë fjalën. Atëherë salla e vërtetë e parlament do të jetë këtu.

Berisha tregoi edhe arsyet se pse ka munguar ne Parlament: “Kam munguar 4 muaj sepse isha në bisedë me mbarë demokratet e Shqipërisë. Në një farë mënyrë ai ishte parlamenti më i madhërishëm në 30 vitet e fundit. Tani rikthehem në respekt të popullit, por për ata që janë aty nuk meriton të rrish as 4 minuta. Kam gjetur mekanizmin si do ti fitojmë zgjedhjet e 6 marsit dhe shoh një klimë optimizmi.”

Ish-kryeministri Sali Berisha ka komentuar edhe protestën e banorëve të lagjes 5 Maji në Tiranë dhe të zonës së Laprakës.

Sipas Berishës, “gjithcka që veprohet, veprohet duke i dhënë ligjit fuqi prapavepruese.
Deri në 2014 ligji parashikonte legalizim pastaj urbanizim.

Të gjitha këto shtëpi janë ndërtuar para 2014 e trajtohen me këtë ligj, por kjo nuk ndodh sepse jo humanizmi, jo njerëzia, jo liritë e të drejtat e njeriut por urrejtja ndaj atyre që i ke vjedhur e mbi vjedhjet ke ndërtuar parajsën e lumturinë janë karakteristika të pushtetit kleptokratik.

Të gjitha veprimet që kryhen ndaj këtyre banorëve, pretekstet që përdoren për legalizim janë të paligjshme, janë dhënie e efekteve prapavepruese në mënyrë antikushtetuese të ligjeve dhe një qëndrim mizor ndaj njerëzve në skena të papërsëritura. Bëhet dhe më tragjike kjo kur në sheshet e atyre shtëpive ortakë në pallate janë përfaqësuesit e Lul Bravës.

Po ndalem në aspektin që në cdo shtet, cdo pronar, është i detyruar t’u garantojë të njëjtën sipërfaqe banimi. Kjo është zgjidhja pa drama njerëzore, por a mund të ndienjë gjë njerëzore ata që jetojnë në saraje si kreu i Meduzës e të tjerë në vila rreth e rrotull Tiranës e lanë në mëshirë të fatit”.