Gjykata Themelore në Prishtinë, ka liruar nga akuza të gjithë personat e përfshirë në rastin e njohur si ‘Pronto’, në të cilin protagonisti kryesor është ish-shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci.
Në aktakuzë, përveç Grabovcit, janë përfshirë edhe ish-ministri i Inovacionit, Besim Beqaj, dhe ish-deputeti nga Partia Demokratike e Kosovës, Zenun Pajaziti.
Gjithashtu, si të akuzuar përmenden edhe ish-sekretarë të përgjithshëm të ministrive, një ish-zëvendësministër, këshilltarë politikë, drejtorë të ndërmarrjeve publike dhe zyrtarë nga pushteti lokal.
Në muajin prill të vitit 2018, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, kishte ngritur aktakuzë për këtë rast.
Në aktakuzë është trajtuar çështja penale e punësimeve dhe ndarjes së posteve të bazuara në përkatësi partiake dhe raporte personale.
Ngritja e aktakuzës, kishte pasuar publikimin në mediat lokale në vitin 2011, të bisedave të përgjuara telefonike të ish-shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, në të cilat qenë përfshirë veç tjerash edhe presidenti aktual, Hashim Thaçi dhe ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.