Gjykata e Strugës do të mbetet pa gjyqtar penal

Gjykata Themelore në Strugë mbetet pa gjyqtar që do të gjykojë për krimet më të rënda, ndërsa nga fillimi i vitit të ardhshëm do të mbetet vetëm me dy gjyqtarë, njoftoi kryetari i gjykatës, Ifet Bajramoski, raporton Sitel,transmeton Portalb.mk.

Në këtë gjykatë edhe pse sipas sistematizimit parashikohen 15 gjyqtarë, aktualisht janë gjashtë bashkë me kryetarin. Por nga 1 tetori do të dalë në pension i vetmi gjyqtar penal për krimet më të rënda dhe nuk do të ketë njeri që ta zëvendësojë.

“Nga ky grup ekzistues, një gjyqtar vepron në procedurën paraprake, në çështjet e kundërvajtjes, si gjyqtar për fëmijët dhe në ekzekutimin e sanksioneve, dy gjyqtarë të tjerë veprojnë në çështjet civile, njëri prej të cilëve vepron edhe në çështjet e falimentimit dhe tjetri në rastet kontestimore dhe jokontestimore. I treti trajton çështjet kundërvajtëse dhe penale. Në situata më të rënda, kur një vepër penale është paraqitur për krime më të rënda mbi pesë vjet, duhet të veprojë gjyqtari që vepron në procedurë paraprake si dhe këshilli penal për vlerësimin e aktakuzës, pra tre gjyqtarë. Për momentin janë tre dhe një nëse vepron në procedurë paraprake, janë katër gjyqtarë dhe nuk ka kush të veprojë më tej për atë lëndë penale”, sqaroi Bajramoski.

Sipas tij, ka pasur situata kur Gjykata në Strugë nuk ka mundur të veprojë për lëndët penale dhe ka lënë të ndërhyjë Gjykata më e lartë e Apelit në Manastir, e cila delegon një gjykatë tjetër nga zona jonë e apelit për të vepruar.

“Në rastin më të shpeshtë është Gjykata Themelore në Ohër, ajo merret me krime më të rënda. Ne tashmë kemi një rast të tillë, nuk mund të veprojmë, duke pasur parasysh se të gjithë gjyqtarët kanë vepruar në një periudhë të caktuar në atë lëndë penale dhe është caktuar në veprimin e një gjykate tjetër”, shtoi kryetari i Gjykatës Themelore në Strugë.

Sipas Bajramoskit, situata do të bëhet edhe më alarmante nga fillimi i vitit të ardhshëm, kur do të mbeten vetëm dy gjyqtarë. Këshilli Gjyqësor tashmë ka deleguar dy gjyqtarë nga Gjykata Themelore Civile nga Shkupi, por ata kanë dorëzuar kundërshtim në Gjykatën Supreme dhe procedura për vlerësimin e kundërshtimit është në vazhdim. Ata nuk do të mund të veprojnë për çështje komplekse, civile dhe penale. Gjykata do të jetë pa gjyqtar penal.

“Këshilli Gjyqësor do të duhet të delegojë një gjykatës më me përvojë, i cili do të merret me krime më të rënda, përkatësisht një gjyqtar penal”, theksoi Bajramoski.

Kujtojmë se Maqedonia e Veriut ka më shumë gjyqtarë se sa kërkojnë vetë standardet evropiane, por përsëri ka mungesë të tyre. Kjo në shikim të parë duket paradoksale, por në fakt arsyeja e mungesës së tyre, është për shkak të lëndëve të tepërta, të cilat nuk janë përpunuar ende dhe nuk kanë epilog përfundimtar, që mund të qojë në vjetërsimin e lëndëve. Sipas standardeve evropiane për 100.000 banorë, duhet të ketë 21.5 gjyqtar. Ndërsa aktualisht në Maqedoninë e Veriut janë rreth 470 gjyqtarë dhe nëse i krahasojmë ata gjyqtarë me popullsinë e re të regjistrimit prej 1.800.000 banorësh, atëherë del se për 100.000 banorë kemi 26 gjyqtarë, ose pak më shumë se mesatarja evropiane prej 21.5 gjyqtarësh. Kjo do të thotë se kemi më shumë gjyqtarë se sa parashikojnë rregullat evropiane.

Megjithatë, vendit i nevojiten rreth 630 gjyqtarë dhe prandaj, që nënkupton se mungojnë rreth 150 deri në 160 gjyqtarë kur e krahasojmë këtë numër të sistematizimit me atë ekzistues prej 470.