Gjykata e Lartë e SHBA-së: Trump shkeli ligjin – tarifat janë të paligjshme

Të premten, Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara vendosi se presidenti amerikan, Donald Trump, shkel ligjin federal duke vendosur një sërë tarifash tregtare në mbarë botën pa autorizim të qartë nga Kongresi amerikan.

Kjo është një humbje e rëndësishme juridike për Shtëpinë e Bardhë në një çështje që ka qenë në qendër të politikës së jashtme dhe ekonomike të administratës së tij, shkruan CNN.

Me vendimin 6-3, Gjykata konstatoi se Trump kishte tejkaluar autoritetin kur u përpoq të përdorte ligjin emergjent federal (International Emergency Economic Powers Act – IEEPA) për të vendosur tarifa të gjera mbi importet.

Kryetari i Gjykatës, John Roberts, shkroi se presidenti duhet të tregojë se ka marrë autorizim nga Kongresi për të ushtruar një fuqi të tillë – një gjë që nuk u demonstrua në këtë rast.

Në vendim u tha se fuqia emergjente mbi të cilën u mbështet lideri amerikan për të imponuar tarifat “nuk mjafton” për të justifikuar vendosjen e tyre sipas përmasës dhe qëllimit që ata kishin.

Gjykata e konsideroi këtë një shkelje të kufizimeve ligjore që ndahen midis pushtetit ekzekutiv dhe atij legjislativ, sipas Kushtetutës së SHBA-së.

Si rezultat, shumica e tarifave të vendosura nën këtë ligj emergjent tani mund të shpallen të paligjshme, dhe kompanitë që paguan këto tarifa mund të kërkojnë rimbursime për shumën e paguar gjatë periudhës që ato ishin në fuqi.