Gjuriqi takon Grenellin: Epokë e re në marrëdhëniet me SHBA-në

Ministri i Jashtëm serb, Marko Gjuriq, ka takuar emisarin amerikan për misione të posaçme, Richard Grenell, dhe i ka thënë se ndërrimi i administratës amerikane sjell një epokë të re në marrëdhëniet Serbi – SHBA.

Ai ka shtuar se rajoni ka potencial që të bëhet kyç për zhvillimin e Evropës.

“Është shumë e rëndësishme për ne t’i shfrytëzojmë ndryshimet që kanë ndodhur në politikat e brendshme në Amerikë që ta bëjmë një epokë të re në marrëdhëniet mes shtetit tonë, rajonit dhe SHBA-së. Dhe ne po punojmë me përgjegjshmëri, duke marrë parasysh parimisht interesant serbe në të gjithë rajonin”, ka thënë ai, sipas uebfaqes zyrtare të MPJ-së serbe.

Ndërkohë në platformën X, Gjuriqi ka shkruar se Grenell vazhdimisht “ka demonstruar një mirëkuptim të thellë për Serbinë dhe rajonin tonë”. Takimi mes tyre u zhvillua në margjinat e Konferencës së Sigurisë në Munih.

Çështja e marrëdhënieve me SHBA-në pati nxitur polemika mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, e Grenellit në fillim të muajit. Polemikat mes të dyve kanë kur Grenelli fillimisht i reagoi Kurtit se deklarata e këtij të fundit për “marrëdhëniet e mira me SHBA-në” janë mashtrim. Madje, Grenell pati shkruar më 3 shkurt se “bashkësia ndërkombëtare është e bashkuar kundër Albin Kurtit”.

Kurti më pas në një televizion lokal ka thënë se “nganjëherë ka kritika e vërejtje, por duhet të ecim përpara”. Ndërsa ka insistuar për marrëdhënie të mira me SHBA-në, ai ka përmendur blerjen e helikopterëve e avancimin e raporteve në aspektin diplomatik e mbrojtje. Koha.net