Gjuajtje me armë e hedhje të granatës – Policia jep detaje për koncertin e Mozzikut në Gjilan

Mbrëmjen e djeshme (e enjte) në oborrin e një diskoteke në Gjilan u raportua për të shtëna me armë zjarri.

Lajmin e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë për Gjilan, Ismet Hashani, teksa bën të ditur se ngjarja ka ndodhur rreth orës 1:50.

“Drejtoria rajonale e Policisë Gjilan, Stacioni Policor Gjilan me datën 28.07.2023 rreth orës 1:50 ka pranuar informacion se në oborrin e një diskoteke në qytetin e Gjilanit ka të shtëna me armë zjarri”, thotë Hashani.

Foto: Instagram

Policia ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku si pasojë është gjetur një gëzhojë e armës si dhe një granatë dore e pa shpërthyer.

“Njësitet policore relevante i janë përgjigjur rastit. Në vendin e ngjarjes është gjetur një gëzhojë e armës si dhe një granatë dore e cila ishte e pa shpërthyer. I dyshuari është larguar nga vendi ngjarjes në drejtim të panjohur”, ka thënë më tej Hashani.

Të pranishmit në diskotekë janë evakuuar në mënyrë të sigurtë si dhe është menaxhuar mjeti i pa shpërthyer.

“Të gjithë personat të cilët kanë qenë brenda kësaj diskoteke në mënyrë të sigurt janë evakuuar. Nga ana e zyrtarëve policorë është bërë sigurimi i vendit të ngjarjes ndërsa mjeti i pa shpërthyer është menaxhuar dhe është asgjësuar pa asnjë pasojë nga njëri për deminim i Policisë së Kosovës’, thuhet tutje.

“Për rastin është njoftuar prokurori i shtetit me urdhër të së cilit është regjistruar rasti ‘Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’, ndërsa rrethanat janë duke u hetuar nga hetues policor rajonal”, vazhdon deklarata.

Kjo ka ndodhur në momentin kur në klub po performonte reperi nga Ferizaj, Mozzik.