Gjimnazistët shqiptarë të Kumanovës filluan vitin në kushte të mjerueshme

Gjimnazistët dhe nxënësit shqiptarë të shkollës teknike vitin e ri shkollor e nisën në kushte të mjerueshme, në hapësirat e ish-kombinatit bujqësor dhe nëpër barakat prapa këtij objekti, në kushte jonormale për vijimin e procesit mësimor.

Nxënësit pa mungesë të oborrit vërehen nëpër trotuaret e rrugës pranë kësaj shkolle, duke theksuar se kushtet janë edhe më katastrofale. “Po e shihni nuk ka aspak kushte dhe premtuan se do të ndërtojnë shkollë, asgjë spo bëhet. Ne veçmë po e përfundojmë këtu shkollën dhe as që presim se të shkojmë tek objekti i ri që po premtohet”, thotë për INA një nxënës i kësaj shkolle.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut një vit më parë njoftoi për vendimin për ndërtimin e objektit të ri shkollor të gjimnazit “Sami Frashëri”, ku plani parasheh ndërtimin e shkollës në një periudhë 3 vjeçare.

Edhe komuna e Kumanovës e ka paralajmëruar një projekt të tillë, por që deri për tani përgatitjet janë vetëm në letër, sepse nuk janë përmbyllur procedurat e nevojshme.

Pritjet e komunës janë që deri në fund të vitit të mbyllen të gjitha fazat përgatitore infrastrukturore tek parcela e përcaktuar në hapësirat e ish-kazermës, apo afër shkollës së re ekonomike si dhe fakulteteve të Universitetit të Tetovës.

Nga ndërmarrja publike komunale “Kumanovo Plan” theksojnë se po punohet për realizimin e fazave të nevojshme të këtij projekti dhe të përmbyllet pjesa që i takon komunës. (INA)