Gjermania e akuzon Rusinë për sulm kibernetik dhe tentim për ndërhyrje në zgjedhje

Gjermania e ka akuzuar Rusinë për sulm kibernetik ndaj Kontrollit të trafikut ajror dhe për përpjekje për ndërhyrje në zgjedhje.

Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme ka thënë se inteligjenca ushtarake ruse ishte prapa “sulmit kibernetik kundër Kontrollit gjerman të trafikut ajror në gusht 2024”, raportoi BBC.

Zëdhënësi po ashtu e ka akuzuar Rusinë për përpjekje për ndikim dhe destabilizim të zgjedhjeve në shkurt të këtij viti. Ai shtoi se Gjermania, në koordinim të ngushtë me partnerët evropianë, do t’i përgjigjet me kundërmasa që ta bëjë Rusinë “ta paguajë një çmim për veprimet hibride”.

Siç ka thënë ky zëdhënës, sulmin kibernetik e ka shkaktuar grupi i hakerëve rus i quajtur “Fancy Bear”.

“Gjetjet e inteligjencës tonë dëshmojnë se shërbimi i inteligjencës ushtarake ruse GRU mban përgjegjësinë për këtë sulm”.