Gjermania do të ndajë 200 milionë euro ndihmë për Afganistanin

Gjermania do të ofrojë një ndihmë shtesë humanitare prej 200 milionë eurosh (223 milionë dollarë) për Afganistanin, njoftoi sot ministrja e Jashtme, Annalena Baerbock gjatë një konference online.

“Kriza humanitare që po përjeton popullsia afgane është një nga më të rëndat në botë”, tha Baerbock.

Në të njëjtën kohë, Baerbock u bëri thirrje militantëve islamikë në pushtet në Afganistan, talebanëve që të ofrojnë qasje për punonjësit e ndihmës humanitare dhe të garantojnë sigurinë e tyre, raporton atsh.

Ministrja e Jashtme Baerbock tha se ishte e papranueshme që Programi Botëror i Ushqimit i OKB-së (WFP) nuk ishte aktualisht në gjendje të furnizonte me ushqim provincat e Kabulit, Kandaharit dhe Ghorit. /kp