Gjermania arreston 18 të dyshuar për mashtrim online, dëmi mbi 300 milionë euro

Një veprim i koordinuar ndërkombëtarisht kundër rrjeteve të dyshuara të mashtrimit online dhe pastrimit të parave që përfshinte edhe ofruesit gjermanë të shërbimeve të pagesave, ka rezultuar me 18 të arrestuar, kanë njoftuar autoritetet gjermane të mërkurën.

Zyra Federale e Policisë Kriminale të Gjermanisë dhe prokurorët kanë thënë se midis viteve 2016 dhe 2021, të dyshuarit kishin përdorur të dhënat e kartave të kreditit për 4.3 milionë individë nga 193 vende në skemën e tyre, duke grumbulluar para në vlerë prej më shumë se 300 milionë eurosh.

Të dyshuarit kishin përvetësuar fonde përmes abonimeve në faqet e internetit të rreme, të dizajnuara për transmetim, takime dhe argëtim.

Të pandehurit kishin kompromentuar katër ofrues të mëdhenj gjermanë të shërbimeve të pagesave për të përpunuar pagesat, kanë thënë autoritetet. Emrat e kompanive nuk janë bërë të ditura.

Të martën vonë, autoritetet kanë njoftuar se kishin kontrolluar ndërtesa në Gjermani, Itali, Kanada, Luksemburg, Holandë, Singapor, Spanjë, SHBA dhe Qipro.

Prokurorët kanë thënë se janë përqendruar në 44 të dyshuar në Gjermani dhe vende të tjera.

Midis tyre janë anëtarë të rrjetit të mashtrimit, punonjës të firmave të pagesave dhe ofrues të krimit si shërbim.