Manfred Genditzki (65) do të marrë dëmshpërblim prej 1.3 milionë eurosh nga autoritetet gjermane, pasi më shumë se 13 vjet i kaloi padrejtësisht në burg, i dënuar gabimisht për vrasje.
Ai ishte dënuar me burgim të përjetshëm për vdekjen e një pensionisteje 87-vjeçare, të cilës si kujdestar i ndërtesës i ndihmonte rregullisht. Gjykatat e kishin pranuar tezën se ai e kishte mbytur pas një zënke, por ekspertizat e mëvonshme treguan se gruaja me shumë gjasë kishte ndërruar jetë si pasojë e një rënieje në banjë, ndërsa koha e vdekjes ishte përcaktuar gabimisht.
Pas më shumë se 13 vitesh pas hekurave, në vitin 2022 atij iu komunikua se ishte i lirë, ndërsa vendimi përfundimtar i pafajësisë u mor në korrik 2023. Pas daljes nga burgu ai deklaroi: “Nuk do të kërcej nga gëzimi”.
Dëmshpërblimi përfshin ditët e kaluara në burg, të ardhurat e humbura dhe kontributet pensionale, si dhe shpenzimet tatimore dhe avokatore. Tani, thotë se dëshiron ta kompensojë kohën e humbur me familjen e tij.



