“Gjenocidi në Kosovë”: E vërteta për gjenocidin kundër shqiptarëve të pranohet botërisht

Më 15 janar të vitit 1999 ndodhi njëra ndër masakrat më të tmerrshme që kishte përgatitur Serbia kundër shqiptarëve në Kosovë. Masakra ndaj civilëve shqiptarë të Reçakut i dëshmoi botës se Serbia nuk e kishte ndërmend të hiqte dorë nga realizimi i projektit të gjenocidit.

Pikërisht akti gjenocidar i kryer në Reçak, mobilizoi qendrat vendimmarrëse në marrëdhëniet ndërkombëtare, që t’i japin fund një herë e përgjithmonë politikës që kishte për qëllim shkatërrimin e shqiptarëve si komb.

Sot, më 15 janar, në Ditën e Përkujtimit të Gjenocidit ndaj Shqiptarëve në Kosovë, përkujtojmë civilët e vrarë 21 vjet më parë në fshatin Reçak, përkujtojmë të gjitha viktimat e masakrave në Prekaz, në Likoshan, në Qirez, në Abri, në Podujevë, në Suharekë, në Krushë të Madhe dhe në Krushë të Vogël, në Celinë në Mejë dhe qindra masakra që ndodhën para dhe pas 15 janarit 1999”, thuhet në një deklaratë për media të Qendrës “Gjenocidi në Kosovë-Plagë e Hapur”.

Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” zotohet se do të vazhdojë angazhimet e veta në të ardhmen në mënyrë që e vërteta për gjenocidin kundër shqiptarëve në Kosovë të pranohet botërisht dhe të ngadhënjejë drejtësia për të gjitha viktimat e gjenocidit që u vranë mizorisht nga forcat e armatosura të Serbisë, për ato dhjetëra mijëra femra shqiptare të përdhunuara seksualisht dhe për poshtërimet që u janë bërë rreth 1 milion shqiptarëve të dëbuar nga vatrat e tyre.