Komandanti i forcave tokësore gjermane, Christian Freuding, gjatë vizitës së tij në Bosnjë dhe Hercegovinë (BeH), porosit se stabiliteti i Ballkanit mbetet drejtpërdrejt i rëndësishëm për sigurinë e Evropës.
Gjeneral-koloneli paralajmëroi se tensionet në rajon mund të instrumentalizohen, transmeton INA.
“Dhe shohim se ka edhe aktorë të tjerë që përpiqen të ushtrojnë ndikim në këtë rajon,” deklaroi Freuding për agjencinë gjermane të lajmeve dpa, transmeton Deutsche Welle.
Ekspertët vëzhgojnë me shqetësim se si, për shembull, veçanërisht Rusia, por edhe Kina, po zgjerojnë ndikimin e tyre në BeH. Kjo përfshin bashkëpunimin në shfrytëzimin e burimeve natyrore dhe marrëveshjet energjetike, ndërsa në rastin e Kinës, edhe dërgimin e teknologjisë për mbikëqyrje.
Ushtria gjermane në Bosnjë dhe Hercegovinë siguron 36 ushtarë për misionin e BE-së atje, EUFOR Althea. Këto forca monitorojnë respektimin e Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit, me të cilën përfundoi lufta në BeH në vitin 1995. Në të gjithë vendin, ata mbajnë zyra ndërlidhëse, të cilat përmes bisedave me popullatën dhe autoritetet shërbejnë edhe si një sistem për paralajmërim të hershëm në rast të tensioneve të reja.(INA)



