Gjenerali amerikan: Më shumë se 100 mijë ushtarë rusë u vranë ose u plagosën në Ukrainë

Më shumë se 100 mijë ushtarë rusë janë vrarë ose plagosur në Ukrainë dhe forcat ukrainase ka të ngjarë të pësojnë një numër të ngjashëm viktimash, ka thënë të enjten gjenerali i lartë amerikan Mark Milley, shkruan CNN.

“Më shumë se 100 mijë ushtarë rusë janë vrarë ose plagosur. E njëjta gjë ka të ngjarë të jetë edhe në anën ukrainase”, ka thënë Milley.

Shifrat e ofruara nga Milley, të cilat nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur, janë më të saktat deri më tani nga Qeveria e Shteteve të Bashkuara më shumë se tetë muaj pas fillimit të luftës.

Milley shtoi gjithashtu se ka një shans për negociata për t’i dhënë fund luftës dhe se një fitore ushtarake mund të mos jetë e mundur as për Rusinë, as për Ukrainën.

“Duhet të ketë një njohje reciproke se fitorja ushtarake ndoshta në kuptimin e vërtetë të fjalës nuk mund të arrihet me mjete ushtarake, dhe për këtë arsye ju duhet t’i drejtoheni mjeteve të tjera”, u shpreh Milley, duke shtuar se ekziston një mundësi për negociata.

Komentet e Milleyt erdhën pasi Rusia urdhëroi trupat e saj të tërhiqeshin nga qyteti jugor i Ukrainës, Kherson.

Por zyrtarët në Kiev reaguan me kujdes, duke thënë se ushtria ruse nuk kishte gjasa të largohej nga qyteti strategjik pa luftë, ndërsa presidenti i SHBA-së Joe Biden theksoi se tërheqja ishte dëshmi se Moska kishte “probleme reale” në fushën e betejës.