Gjendet një kokë njeriu e groposur në Sarandë, detaje nga ngjarja dhe dyshimet e para

Ditën e djeshme në Xarrë të Sarandës është gjetur një mbetje trupore e një njeriu, që dyshohet të ketë qenë koka e viktimës.

Sipas burimeve për EuroNews Albania, bëhet me dije se koka e viktimës është gjetur pranë Xhamisë tek varrezat monumentale të çamëve.

Policia raportoi se shkoi në vendngjarje dhe se po punonte për të identifikuar viktimën në fjalë.

Dyshimet janë se mbetjet trupore mund të jenë të njërit prej personave të zhdukur pak kohë më parë, Leonard Theodhorit (Koçoles) ose Fatmir Sulovarit.

Po ashtu mësohet se në vendngjarje kanë mbërritur familjarët e Sulovarit, për të parë nëse mbetja trupore është e të afërmit të tyre apo jo.

Kujtojmë se Sulovari dhe Koçole u zhdukën në rrethana tejet të mistershme dhe dyshohet se ngjarja të ketë lidhje me veprimtarinë kriminale të personave në fjalë.

Njoftimi i Policisë:

Mbrëmjen e djeshme, në fshatin Xarrë, pranë varrezave të fshatit, janë gjetur mbetje kockore humane, në proçes dekompozimi.

Mbetjet kockore do të dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore, për ekzaminime të mëtejshme.

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë vijon punën për identifikimin e shtetasit/es, të cilit/es i përkasin këto mbetje kockore si dhe zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të këtij rasti.