Gjendet drogë në makinën e policisë, reagon MPB: Nuk ka qenë e tyre, makina është e konfiskuar në 2016-tën

Pjesëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme me një makinë të konfiskuar në vitin 2016 e që përdorej nga MPB, u nisën për në Mal të Zi për të marrë pjesë në një trajnim.

Por duke kaluar në pikën kufitare nga Shqipëria në Mal të Zi, pas një kontrolli të detajuar të makinës, iu gjet një sasi lëndës narkotike marihuanë e cila ishte e fshehur në një bunker të ndërtuar në makinë.

Nga policia e vendit thonë se pjesëtarët e MPB-së nuk kanë qenë në dijeni për këtë.

“Të punësuarit në MPB nuk kanë asnjë lidhje me lëndën narkotike, por ajo ka qenë në makinë, apo ka mbetur qysh në vitin 2016 kur kjo makinë është konfiskuar nga Drejtoria e Doganave dhe më vonë i është dhënë Agjencisë, e më vonë i është dhënë MPB-së. Të punësuarit në MPB nuk kanë asnjë lidhje me drogën dhe këtë e konfirmon edhe Prokuroria e Shqipërisë dhe ata tanimë janë kthyer në Shkup”, njoftuan nga MPB.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme njoftojnë se rastin tash e tutje Prokuroria do ta shqyrtojë se kush dhe përse e kanë lënë marihuanën në makinën që është konfiskuar qysh në vitin 2016.

Për këtë, kryetari i opozitares VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, kërkoi dorëheqje.

“Sot apo mbrëmë kur ishte, skandali që është harruar droga në makinën që e kanë përdorur pjesëtarë të Ministrisë për Punë të Brendshme, çka më shumë duhet të ndodh që këta njerëz të kuptojnë që të gjithë së bashku duhet të japin dorëheqje dhe të largohen”, tha Mickoski.

TV21 pyeti Prokuroria Themelore se a do ta hetojë rastin, por ende nuk kemi marr përgjigje. Sasia e drogës u kap në doganën Sukobin gjë që është konfirmuar edhe zyrtarë të kësaj dogane të Malit të Zi./TV21