Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se në varrezën masive të zbuluar në fshatin Jabukë të Zubin Potokut janë gjetur deri tani të paktën katër trupa.
Sipas tij, dyshohet se viktimat janë vrarë gjatë luftës në Kosovë dhe më pas janë hedhur në një gropë gëlqereje. Autoritetet po vijojnë punën për identifikimin e mbetjeve mortore dhe zbardhjen e plotë të rrethanave.
Sveçla tha se kjo varrezë ndodhet rreth 900 metra larg një tjetër zone ku më herët janë zbuluar mbetje njerëzore, duke ngritur dyshime se mund të bëhet fjalë për viktima të së njëjtës ngjarje.
Ai shprehu ngushëllime për familjet e personave të zhdukur dhe kërkoi kohë për përfundimin e analizave shkencore që do të mundësojnë identifikimin e viktimave.
Ministri në detyrë akuzoi Serbinë për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë dhe për përpjekje për fshehjen e tyre, ndërsa deklaroi se institucionet kosovare do të vijojnë kërkimet për personat e pagjetur dhe ndjekjen e përgjegjësve për krimet e luftës.



