Gjashtë të arrestuar pas një përleshjeje në Viti

Gjashtë persona janë arrestuar nga policia të mërkurën në Viti pasi janë përfshirë në një përleshje pas një mosmarrëveshjeje mes tyre.

Sipas raportit 24-orësh të Policisë, rasti ka ndodhur rreth orës 14:30, ndërsa të gjithë të përfshirët kanë pësuar lëndime trupore dhe kanë marrë trajtim mjekësor.

Gjatë intervenimit në vendin e ngjarjes, policia ka gjetur dhe konfiskuar 5.38 gram substancë të dyshuar narkotike.

Me vendim të prokurorit të rastit, gjashtë të dyshuarit janë dërguar në mbajtje, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rastit po vazhdojnë.