Në tre vitet e fundit, gjashtë fëmijë nën moshën 14 vjeç të zhdukur në Maqedoninë e Veriut nuk janë gjetur ende. Sipas MPB-së, bëhet fjalë për fëmijë nga Prilepi, Gjevgjelia, Kumanova, Shtipi dhe dy fëmijë nga Shkupi, për të cilët ka pasur kërkim aktiv.
Për zhdukjen e fëmijës nga Prilepi ishte alarmuar i gjithë opinioni. Bëhet fjalë për Petar Jobeski, i cili u zhduk më 25 shkurt 2022, në fshatin Vrpsko. Në kohën kur u zhduk, ai ishte dhjetë vjeç.
Publiku mori vesh për zhdukjen e tij pasi familjarët postuan foto të tij dhe një apel për ndihmë për gjetjen e tij në rrjetet sociale. Më pas MPB njoftoi se ishte raportuar zhdukja e fëmijës. U organizuan disa kërkime, të cilat u vështirësuan nga stuhia e borës, por Pjetri nuk u gjet.
Prindërit e tij kanë thënë disa herë për “Fokus” se dyshojnë se u është rrëmbyer fëmija i tyre dhe tashmë rasti është harruar nga opinioni. Fotografia dhe të dhënat e tij janë publikuar në faqen e personave të zhdukur të Ministrisë së Punëve të Brendshme.