Rreth 2 mijë persona janë vrarë gjatë protestave në Iran, tha të martën një zyrtar iranian për Reuters, duke ia atribuuar vdekjet “terroristëve” dhe duke përfshirë në bilanc si civilë ashtu edhe pjesëtarë të forcave të sigurisë.
Deklarata vjen ndërsa vendi po përballet me protestat më të mëdha kundër regjimit të ajatollahëve në dekada.
Sipas të dhënave të konfirmuara nga organizatat e të drejtave të njeriut, numri zyrtar i viktimave të dokumentuara është ndjeshëm më i ulët.
HRANA, Iran Human Rights dhe Iran International raportojnë se deri tani janë konfirmuar 648 të vrarë gjatë 16 ditëve të protestave, por paralajmërojnë se shifra reale mund të jetë gati dhjetë herë më e lartë.
HRANA bën me dije se nga 648 viktimat e konfirmuara, 505 janë protestues, mes tyre edhe nëntë fëmijë. Po ashtu, janë vrarë të paktën 133 pjesëtarë të forcave të sigurisë, si dhe disa civilë të tjerë, përfshirë kalimtarë të rastësishëm. Vrasjet janë regjistruar në të paktën 14 provinca të vendit, me numrin më të madh të viktimave dhe arrestimeve në kryeqytetin Teheran.
Në anën tjetër, autoritetet iraniane raportojnë se të paktën 121 persona nga radhët e regjimit – përfshirë forcat e sigurisë, ushtrinë dhe sistemin gjyqësor – kanë humbur jetën gjatë trazirave.
Ndërkohë, numri i të arrestuarve ka arritur të paktën 10 mijë e 700 persona në mbarë vendin.
Organizatat e të drejtave të njeriut paralajmërojnë se disa prej të ndaluarve përballen me dënimin me vdekje, ndërsa autoritetet kanë sinjalizuar se mund të kryhen ekzekutime publike.
Raportet flasin gjithashtu për të paktën 97 raste torture, të përdorura për të nxjerrë “rrëfime” nga të ndaluarit. Aktivistët theksojnë se shifrat reale mund të jenë edhe më të larta, për shkak të kufizimeve të rënda mbi mediat, internetin dhe qasjen e pavarur në informacion.




