Ghalibaf: Iranianët preferojnë të vdesin sesa të dorëzohen

Kryetari i Parlamentit të Iranit, Mohammed Bagher Ghalibaf, ka bërë deklarata të forta në një mesazh audio drejtuar publikut iranian, duke theksuar vendosmërinë e vendit përballë presioneve të jashtme.

“Populli iranian preferon të vdesë sesa të dorëzohet. Dhe në fund, ata do të fitojnë,” u shpreh Ghalibaf, duke shtuar se iranianët, sipas tij, kanë një “vetëdije historike” dhe janë të gatshëm të rezistojnë “me çdo kusht” ndaj atyre që i cilësoi si “armiq kriminalë”.

Ai pretendoi se kundërshtarët e Iranit synojnë të dobësojnë vendin përmes presionit ekonomik dhe “bllokadës detare”, si dhe përmes “luftës mediatike”, me qëllim, sipas tij, krijimin e përçarjeve të brendshme dhe detyrimin e Teheranit për t’u dorëzuar.

“Ne nuk e përjashtojmë mundësinë e një sulmi ushtarak apo terrorist, por aspekti kryesor i planit të armikut është dobësimi i Iranit nga brenda,” deklaroi ai.

Ghalibaf paralajmëroi gjithashtu për atë që e quajti “luftë e madhe në historinë e kohëve të fundit të Iranit”, duke theksuar se rezultati përfundimtar do ta shndërrojë vendin në një aktor me ndikim në sistemin ndërkombëtar.

“Fitorja përfundimtare do të sjellë përparim material dhe shpirtëror për Iranin, edhe pse rruga drejt këtij qëllimi do të shoqërohet me vështirësi,” përfundoi ai.