Gërvalla mund ta mposhtë “luftën” e Serbisë ndaj Kosovës

Kosova dhe Serbia më 4 shtator të vitit të kaluar në Shtëpinë e Bardhë kishin nënshkruar marrëveshje në prani të presidentit të asokohe të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Me këtë marrëveshje Kosova ishte pajtuar që brenda një viti të mos kërkojë anëtarësim në organizata ndërkombëtare, kurse Serbia kishte pranuar që brenda një viti të ndalë fushatën për çnjohjen të Pavarësisë së Republikës së Kosovës.

Por, si duket kjo marrëveshje kishte mbetur vetëm një letër, pasi që Serbia vazhdimisht e ka shfrytëzuar mundësin që të lobojë kundër çnjohje të pavarësisë së Kosovës.

Ndërkaq, për këtë marrëveshje e cila ishte nënshkruar nga ish kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ekspertët thonë se ishte përdorur nga Trump për fushatën zgjedhore, ndërkaq presin nga Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla që të fillojë menjëherë fushatën për njohje të Kosovës

Mehazi: Ja çfarë e ka dobësuar diplomacinë serbe

Profesori Sulejman Mehazi, në një bashkëbisedim për “Bota sot”, ka thënë se pas skadimit të marrëveshjes së Uashingtonit në shtator, detyra e Gërvallës duhet të jetë shtimi i njohjeve të Kosovës.

Image

Sulejman Mehazi

“Me ardhjen e Donika Gërvallës në krye të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës mendojmë se do shtohen edhe njohjet nga shumica e shteteve të cilët ende nuk e kanë njohur Kosovën. Detyra parësore e Shefes së Diplomacisë së Kosovës, Donika Gërvallës, pas skadimit të marrëveshjes së Uashingtonit në shtator duhet të jetë shtimi i sa më shumë njohjeve të Kosovës, nëse Gërvalla mbërrin që të mposhtë Serbinë me veprimet e ç’njohjeve të Kosovës atëherë do jetë e do bëhet ministrja më e suksesshme që nga pavarësia e Kosovës e gjer më sot”, ka thënë ai.

Po ashtu, Mehazi ka shtuar se veprimet serbe për çnjohje të Kosovës të bëhen me kundërveprime të Gervallës për më shumë njohje të Kosovës.

“Nëse Serbia që nga marrëveshja e Uashingtonit e deri më shtator tinëzisht ka lobuar për çnjohje të Kosovës, të kundërtën është dashur të bënte edhe Donika Gërvalla të pastronte terrenet diplomatike për njohje të Kosovës pas shtatorit. Veprimet serbe për çnjohje të Kosovës të bëhen me kundërveprime të Gërvallës për më shumë njohje të Kosovës”, ka thënë ai.

Më tej, ai ka treguar se çfarë e ka dobësuar diplomacinë serbe.

“Njohja e Kosovës nga Izraeli ka dobësuar jashtëzakonisht shumë diplomacinë serbe, kurse në anën tjetër ka favorizuar diplomacinë e Kosovës, këtë përparësi diplomatike duhet ta shfrytëzojë ministrja e Kosovës Gërvalla me më shumë njohje sesa ç’njohjet serbe ndaj Kosovës”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Gjithashtu, profesori ka përmendur arsyen se pse Kurti e ka zgjedhur Gërvallën si Ministre të Punëve të Jashtme.

“Kryeministri Albin Kurti, pikërisht, për shkak stagnimit të njohjeve të Kosovës e duke parë aftësitë intelektuale, politike e diplomatike ka nominuar Donika Gërvallën Ministre të Punëve të Jashtme vetëm për t’iu kundërvënë diplomacisë serbe për çnjohje të Kosovës”, ka cekur ai.

“Lufta më e madhe diplomatike e Gërvallës duhet të jetë njohja e Kosovës nga sa më shumë shtete të botës. Pra, lufta e ç’njohjeve të Kosovës serbe të mposhtet me njohjet e Kosovës nga ana e Donika Gërvallës”, ka përfunduar Mehazi për “Bota sot”.

Mehmeti: Serbia nuk e ka zbatuar asnjë marrëveshje

Image

Faton Mehmeti

Ndërkaq, analisti politik, Faton Mehmeti, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se marrëveshja e cila ishte nënshkruar në Uashington ishte farsë.

“Ka qenë e ditur qysh në fillim se ajo marrëveshje është farsë, kartë në duart e Trumpit dhe Grenellit për zgjedhjet në SHBA. Duke qenë e tillë, më ndryshimet në administratën amerikane, më askush nga administrata e re nuk është interesuar për atë marrëveshje”, ka thënë ai.

Mehmeti, më tej, ka thënë se Kosova nuk ka fituar, ndërkaq e ka cekur se Serbia nuk e ka zbatuar asnjë marrëveshje të nënshkruar.

“Në këtë kuptim edhe ajo marrëveshje konsiderohet e vdekur. Serbia nuk e ka zbatuar asnjë marrëveshje, kjo është ditur qysh në fillim. Kosova s`ka fituar asgjë, është përdor nga tjerët për qëllimet e tyre. Me pak fjalë, Marrëveshja e Uashingtonit është e vdekur dhe si e tillë nuk pritet asgjë nga ajo”, ka përfunduar Mehmeti për “Bota sot”.