Gërvalla i vazhdon takimet në ShBA: Flet për anëtarësim në NATO, kërkon sanksione ndaj Vuçiqit

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, është duke qëndruar për vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Me anë të postimeve në X, ajo ka bërë të ditur se sot ka zhvilluar takime me kongresistët amerikanë, Ritchie Torres, dhe Jim McGovern.

Gërvalla-Schwarz ka theksuar se pati takime të shkëlqyera me të dy kongresistët, duke shtuar se Torres është një përkrahës i vazhdueshëm i Kosovës.

Në takimin me Torres, Gërvalla shkruan se ka biseduar për: “I adresova zhvillimet rajonale, agresioni i Serbisë ndaj Kosovës dhe theksova nevojën për veprim kundër regjimit të Aleksandar

Vuçiqit për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm. Gjithashtu diskutuam aspiratat tona për anëtarësim në NATO”.

Ndërkaq, për takimin me McGovern ajo deklaron: “E informova për agresionin e Serbisë ndaj Kosovës dhe diskutova aspiratat tona për anëtarësim në NATO, si dhe mënyrat për të forcuar partneritetin tonë”./Klankosova.tv