Gërmimet në Prekaz, Haxhiu: Janë gjetur mbetjet mortore të një individi që i takon kohës së luftës

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se në Prekaz të Skenderajt, gjatë procesit të gërmimeve, janë zbuluar mbetje mortore që datojnë nga periudha e luftës së fundit.

Në një deklaratë të bërë në Facebook, ministrja Haxhiu informon se mbetjet do të dërgohen në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për të vazhduar me procedurat e ekzaminimit dhe identifikimit të nevojshëm mjeko-ligjor.

“Sot, gjatë vazhdimit të punëve në lokacionin Prekaz i Poshtëm, ekipet e IML-së dhe EULEX, me mbështetjen e policisë, KQPZH dhe ICRC kanë arritur të gjejnë dhe të tërheqin mbetjet skeletore të një individi që i takon kohës së luftës. Mbetjet mortore janë dërguar në IML me ç’rast do t’i nënshtrohen ekzaminimit dhe identifikimit mjeko ligjor”, ka shkruar Haxhiu.

“Në të njëjtin lokacion janë gjetur edhe tre trupa para 11 ditëve. Punimet pritet të vazhdojnë edhe gjatë ditës së neserme”, ka shkruar tutje Haxhiu.

Andin Hoti, i cili kryeson Komisionin Qeveritar për Persona të Zhdukur, ka bërë me dije gjetjen e re dhe ka shprehur dyshimet se eshtrat mund të i përkasin individëve nga lista e të zhdukurve të luftës.

Më herët, më 9 nëntor, Komisioni përmendur më lart raportoi për gjetjen e mbetjeve mortore gjatë gërmimeve në fshatin Prekaz, të cilat besohet se mund të jenë gjithashtu të personave të zhdukur gjatë luftës.

Mbetjet që u gjetën më 9 nëntor dyshohet se janë të një personi që ishte viktimë e masakrës së Polacit, dhe kërkimet nga ekipet e mjekësisë ligjore, policia dhe prokuroria e EULEX-it janë duke u zhvilluar me shpresën e gjetjes së trupave të viktimave të tjera të konfliktit.

Aktivitetet e gërmimit për gjetjen e të zhdukurve nuk po zhvillohen vetëm në Kosovë, por janë rinisur po ashtu edhe në Serbi, konkretisht në lokacionin e quajtur Shtavajl.