Genc Burimi: Rama troket në derë të Elizesë, për mbështetje apo strehim politik?!

Nga Genc Burimi

Emanuel Macron dhe Edi Rama do të drekonin kokë më kokë sot në Pallatin presidencial te Elizesë në Paris. Kjo drekë pune që fillon egzaktësisht këtë të hënë ora 13.05 është publikuar në axhendan e presidentit francez.

Por temat “e zakonshme” të bashkëpunimit dypalesh që janë publikuar në meny, që nga rihapja e liceut francez të Korçës e deri tek integrimi apo mbrojtja janë aq të shumta për dy ore drekë sa pyetja me vend shtrohet : por për çerek milionin e shqiptarëve që rrethuan kryeministrinë gjate week-endit a do ju dali koha të flasin, të paktën gjatë ëmbëlsirës.

Më seriozisht, pala franceze ka aq shumë sy e veshë në Tiranë dhe satelitë në qiell sa për të qenë fare mirë e mirëinformuar se pushteti i Edi Ramës në Shqipëri po njeh krizën më të thellë politikë që ka aktualisht në Europë. Edhe Vuçic, shoku fqinj i Ramës me të cilin ndajnë të njëjtën filozofi se nuk është populli por të huajt dhe algoritmet prapa një revolucioni, nuk ishte përballur deri tani me një protestë tre javë rresht, çdo mbrëmje, pa një sekondë pushim dhe që mund të zgjasë dhe tre javë apo tre muaj të tjerë.

Po atëherë pse kjo drekë franceze në momentin ku ne Shqipëri Ramës i është prerë totalisht oreksi? Duhet të jesh i padukshëm në sallonin e Elizesë për të dëgjuar dhe mësuar. Një gjë është e sigurt, nëse Rama shkon aty për shpëtim, Parisi është vendi i fundit ku mund ta gjejë. Franca është legaliste, ajo mbështet gjithmonë institucionet që dalin nga vullneti popullor. Dhe vullneti i shqiptarëve në këte moment nuk përbën më sekret për askënd.

Por nëse Rama shkon për të dhënë llogari, gjë që ka më shumë gjasa, mos të bëjë gafën të travestojë të vërtetën. Tek Makron nuk shkohet si në ato intervistat arrogante me gazetaret e CNN.

Ka një të vërtetë të madhe që Rama s’duhet t’ja fshehe: edhe po iku , se kështu e kërkon sot populli sovran shqiptar, ka aq djem dhe vajza të talentuar në atë shesh që do ta çojnë përpara stafetën europiane të Shqipërisë, më mirë dhe më shpejt se Kryeministri aktual, e mbi të gjitha me një axhendë shumë më të gjelbërt se kjo e tanishmja të garantuar nga një Shtet i të drejtës, ashtu siç e pret jo vetëm Franca por e gjithë BE-ja.