Gazetari opozitar turk, Can Dundar dënohet me 27 vite burg

Një gjykatë turke dënoi gazetarin Can Dundar me më shumë se 27 vjet burg me akuzat për ndihmën e një grupi terrorist dhe spiunazh.

Ish-kryeredaktori i gazetës turke të opozitës “Cumhuriyet” u gjykua në mungesë. Gjykata e Stambollit e shpalli fajtor Dundar, para se të arratisej në Gjermani në 2016-n

Gazetari u akuzua edhe për lidhje me një dërgesë armësh në kufirin sirian, të cilën ai pretendoi se ishte destinuar për rebelët sirianë.

Gjyqtarët në gjykatën Caglayan të Stambollit lëshuan vendimin pavarësisht nga mungesa e ekipit të mbrojtjes.

Avokatët e Dundar thanë se ata nuk do të merrnin pjesë në seancën përfundimtare, duke i quajtur akuzat si të motivuara politikisht.

Kush ishte Can Dundar?

Dundar u arratis në Gjermani në 2016-n për t’i shpëtuar akuzave ligjore, pasi u dënua për spiunazh për botimin e një historie në lidhje me dërgesat e armëve turke në rebelët sirianë në 2015.

Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan, kishte paralajmëruar Dundar se do të “paguante një çmim të rëndë”, për raportin në “Cumhuriyet”, që ekspozon agjencinë e inteligjencës së Turqisë, ndërsa ai drejtonte gazetën.

Gjatë azilit të tij në Gjermani, Dundarit iu dha 15 ditë kohë për t’u kthyer në Turqi, por ai vendosi të mos kthehej.

Gjykata e shpalli Dundar të arratisur dhe urdhëroi sekuestrimin e pasurive të tij në Turqi duke përfshirë katër prona në Ankara, Stamboll dhe Mugla si dhe llogari bankare në emrin e tij.

Autoritetet turke gjithashtu konfiskuan pasaportën e gruas së tij në shtator 2016.

Në tetor, Bashkimi Evropian paralajmëroi Ankaranë se po shkatërronte vlerat demokratike dhe tha se shanset e Turqisë për t’u bashkuar ndonjëherë me bllokun po zbeheshin.