Gati gjysma e të rinjve në Ballkanin Perëndimor janë duhanpirës

Nën organizimin e Analitika Tink Tenk, sot në Shkup u mbajt punëtori rajonale me temën: “Përforcimi i bashkëpunimit ndërmjet mediave, ekspertëve dhe institucioneve për politika më të mira të kontrollit të duhanit dhe mbrojtje të shëndetit publik në Ballkanin Perëndimor”.

Në diskutim mori pjesë edhe ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, e cila theksoi se arsimi është mekanizmi më i mirë për të rritur ndërgjegjësimin tek të rinjtë mbi zakonet e shëndetshme dhe kujdesin ndaj shëndetit personal.

“Sistemi ynë edukativo-arsimor është strukturuar në mënyrë që njohuritë shëndetësore të përfshihen në të gjitha klasat, veçanërisht në lëndën ‘Shkencat natyrore’. Nga ky vit shkollor, kemi futur një lëndë të re zgjedhore në klasën e 7-të, ‘Mësoj për shëndetin tim’, dhe me mbështetjen e Organizatës Botërore të Shëndetësisë kemi përgatitur udhëzues për mësimdhënësit, i cili përfshin edhe pasojat shëndetësore nga përdorimi i duhanit dhe cigareve elektronike”, theksoi Janevska.

Duke folur për masat kombëtare parandaluese, ministrja shtoi se këtë vit, me ndryshimet ligjore, shkollat fillore dhe të mesme janë të detyruara, krahas programeve për mbrojtje nga dhuna, abuzimi dhe neglizhimi i nxënësve, parandalimin e diskriminimit dhe delikuencës së të miturve, të zbatojnë edhe programe për parandalimin e abuzimit me alkool, duhan, drogë dhe substanca të tjera psikotrope.

“Në vitin e ri shkollor, MASH-i dhe BZHA, së bashku me Zyrën e Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin dhe Federatën Ndërkombëtare të Lions Klub, do të trajnojnë 50 bashkëpunëtorë profesionalë dhe 150 mësimdhënës në 50 shkolla fillore për të zbatuar programin parandalues ‘Aftësi për adoleshencën’. Ky është një program i strukturuar, bazuar në prova, për parandalimin e përdorimit të cigareve, drogës dhe alkoolit, i cili është zbatuar me sukses deri më tani në 105 vende në mbarë botën”, shtoi ministrja.

Ajo theksoi se gjithmonë ka hapësirë për avancimin e edukimit shëndetësor në shkolla dhe se institucionet po punojnë në këtë drejtim:

“Arsimi është një materie e gjallë që përshtatet me kohën dhe trendet. Kam pritshmëri që nga kjo punëtori, përvojat dhe praktikat e ndara të na ndihmojnë të përmirësojmë politikat kombëtare”, u shpreh Janevska.

Punëtoria synonte të lidhë përfaqësues të mediave, studiuesve, institucioneve dhe partnerëve ndërkombëtarë, të inkurajojë bashkëpunim më të fortë dhe të theksojë rëndësinë e masave për kontrollin e duhanit të bazuara në dëshmi, në përputhje me prioritetet për integrim në BE. Përveç përfaqësuesve të institucioneve shtetërore dhe sektorit civil nga vendet e rajonit, morën pjesë edhe profesorë nga Fakulteti i Shëndetit Publik pranë Universitetit Amerikan Johns Hopkins.