Gashi: VLEN-i ka legjitimitetin e shqiptarëve të Maqedonisë

Kryetari i Alternativës Afrim Gashi, në një intervistë për Alsat tha se zgjedhjet parlamentare treguan se VLEN-i ka legjitimitetin e shqiptarëve të Maqedonisë. Ai tha se BDI ishte në koalicion me 4 komunitete dhe se dallimin mes Frontit Europian dhe VLEN-it e kanë bërë partitë e komuniteteve. Gashi tha se fakti që BDI e braktisi betejën në kampin shqiptar nuk mund të thirret në legjitimitet të plotë të shqiptarëve.

z.Gashi VLEN-i mbrëmë mori edhe një mandat në njësinë e gjashtë zgjedhore, por pavarësisht kësaj, Fronti, konkretisht BDI-ja insiston se ata kanë legjitimitetin e shqiptarëve?

“Ku është dallimi më i madh mes neve në numrin e deputetëve, në zonën e pestë ku dominojnë komunitetet e tjera joshqiptare, është evidente. Fakti që BDI braktisi betejën në kampin shqiptar dhe mori komunitetet e tjera ajo më nuk mund të thirret në legjitimitet të plotë të shqiptarëve, po them të plotë. Legjitimitetin e plotë të shqiptarëve e ka VLEN-i dhe ne edhe me dinjitet, edhe me kokën lartë edhe me numrin e votave edhe me numrin e deputetëve jemi ballëhapur dhe kryelartë mund t’i përfaqësojmë shqiptarët në Qeverinë e ardhshme”, deklaroi Afrim Gashi, Kryetar i Alternativës. /Alsat.mk