Gashi thotë se Prokuroria nuk po i përgjigjet familjes Dehari për zhdukjen e provave nga IML-ja

 

Tomë Gashi- avokati i familjes Dehari, ka akuzuar Prokurorinë Speciale se është duke heshtur dhe nuk po kthen përgjigje lidhur me zhdukjen e mostrave të Deharit në Instituti i Mjekësisë Ligjore.

Gashi i është drejtuar me letër prokurorit të rastit, Afrim Shefkiu, pas raportimit se janë gjetur mostrat e Deharit në IML.

“Rasti i mostrave të Astrit Deharit. Kërkesa e radhës dërguar Prokurorit të Prokurorisë Speciale z. Afrim Shefkiu. Edhe pse kanë kaluar 1 vit e 4 muaj nga publikimi i zhdukjes së mostrave të Astrit Deharit. Edhe pse Prokurori ka pranuar shumë kërkesa për ta njoftuar familjen e Astritit për këtë çështje. Edhe pse Prokurori e ka obligim ta bëjë këtë. Prokurori vetëm hesht, asnjëherë nuk përgjigjet..!”, tha Gashi.

Ai theksoi se Prokuroria po e përdor heshtjen per të arsyetuar neglizhencën totale të zbulimit të vrasësve të Astrit Deharit.

“Plagët e Astritit janë dëshmi e vrasjes së tij që nuk mund t’i fsheh askush siç nuk ka mundur t’i fshehë edhe një ish-kryeprokuror i cili deshti rastin e vrasjes së Astritit ta mbyll për 13 ditë në kundërshtim me provat që e vërtetojnë se Astrit ështe vrarë”, shkroi Gashi.

Para disa ditësh në media ishte raportuar rreth gjetjes së mostrave të Astrit Deharit, që u zhdukën nga Instituti i Mjekësisë Ligjore.

Klankosova.tv ka kontaktuar me ministren e Drejtësisë Albulena Haxhiu, dhe me Prokurorinë Speciale, të cilët nuk e kanë konfirmuar një gjë të tillë.

Nga PSRK-ja thanë se “janë në fazën hetimore dhe se nuk mund të japim informacione”.