Gashi: Regjistrimi të reflektojë numrin e saktë të shqiptarëve (Video)

Kryetari i partisë “Alternativa”, Afrim Gashi, vlerëson se çështja e regjistrimit të popullsisë mund të problematizohet nëse nuk miratohet një Ligj i mirëfilltë që do të reflektonte numrin e saktë të shqiptarëve që jetojnë në Maqedoninë e Veriut, shkruan gazeta LAJM. “Në bazë të dhënave që i kemi nga terreni është evidente se numri i shqiptarëve që po shpërngulen është në rritje dhe vërtetë është shumë problematike kjo puna e regjistrimit. Nëse nuk bëhet një Ligj i mirë që do ta reflektojë saktë numrin e shqiptarëve, do të jetë problem”, u shpreh Gashi për gazetën LAJM. Ai, tha se nuk mund te flitet për numrin e saktë të shqiptarëve që jetojnë në Maqedoninë e Veriut, pa një proces kredibil të regjistrimit. “Nuk dua të spekuloj me numra, por unë dua të del numri i shqiptarëve aq sa jemi. Kjo është mirë edhe për shtetin edhe për ne si shqiptarë. Është koha e fundit që ta mbyllim këtë ciklin e politizimit të numrave dhe politika në vend nuk guxon të ndërtohen mbi bazë të numrave, as ndonjë e drejtë e caktuar. Prandaj, mendoj që koncepti i 20%-shit do të duhet të eliminohet nga Kushtetuta dhe nga mendësia jonë politike”, tha Gashi. Deklaratën e tij të plotë për gazetën LAJM, mund ta ndiqni në videon më poshtë.