Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, në pritjen solemne me rastin e 8 Shtatorit – Ditës së Pavarësisë, tha se shtetësia nuk ndërtohet vetëm me referendum apo shpallje pavarësie, por çdo ditë përmes institucioneve, ligjeve, drejtësisë, arsimit dhe ekonomisë.
“35 vjet nuk janë shumë për jetën e një shteti, por janë të mjaftueshme për të kuptuar se shteti ndërtohet çdo ditë”, deklaroi Gashi.
Ai e cilësoi 8 Shtatorin dhe referendumin e vitit 1991 si “ditëlindjen paqësore të një shteti të ëndërruar nga shumë gjenerata”, duke theksuar se pavarësia u arrit pa luftë, ndryshe nga disa republika të tjera të ish-Jugosllavisë.
Gashi tha se 35 vitet e fundit kanë kaluar përmes sukseseve, krizave, ndryshimeve kushtetuese e institucionale dhe tranzicionit ekonomik, ndërsa shumë qytetarë janë larguar nga vendi në kërkim të një jete më të mirë.
Sipas tij, e ardhmja e shtetit duhet të ndërtohet mbi barazinë dhe besimin e qytetarëve.
“Patriotizëm është krijimi i mundësive për të rinjtë. Maqedonia e Veriut është shtëpi e qytetarëve me përkatësi të ndryshme etnike, gjuhësore, fetare dhe kulturore. Kjo nuk është pengesë, por realitet që duhet ta shndërrojmë në burim suksesi”, theksoi kreu i Parlamentit Afrim Gashi.



