Gashi: Njëri nga zv/kryeministrat mund të vijë nga Lista Serbe

Gashi para mediave ka thënë se njëri nga zëvendëskryeministrat mund të jetë i Listës Serbe.

“Njëri nga ministrat e Listës Serbe mund të ketë postin e zëvendëskryeministrit. Sa i përket zotit Pacolli. Çështja e koronës na ka mësua që të bashkëpunojmë edhe në distancë. Kryetari i LDK-së dhe Hoti kanë komunikuar edhe me zotin Pacolli”, ka thënë Gashi.

Gashi po ashtu tha se në qoftë se partitë tjera mendojnë se ka shkelje në dhënien e dekretit, ato mund t’i drejtohen Kushtetueses.

“Sa i përket dekretit, është e drejtë e secilit që mendon se iu ka mohuar një e drejtë t’i drejtohet Kushtetueses, nuk jemi ne ata që e vlerësojmë”, tha Gashi.

Ai shtoi se ende nuk janë caktuar ministrat e LDK-së, dhe për emrat nuk është diskutuar sot.

Gashi po ashtu tha se me gjasë koalicioni mes partive do të përmbyllet nesër.

“Nuk janë caktuar ministrat e LDK-së. Sot nuk kemi diskutuar për emra të përveçëm. Emri do të dërgohet sapo të jenë përfunduar koalicionet. Shpresojmë, besojmë sot dhe nesër të mbyllet koalicioni, dhe të marrim përsipër formimin e qeverisë. Ditën pasuese pas koalicionit do ta dërgojmë emrin”, ka thënë Gashi.