Gashi hyri në Qeveri me disa premtime! Tani thotë se AAA s’ka fuqi të sjellë ekspertë të huaj për rastet e montuara

-Qeveria do t’i dërgojë kërkesë zyrtare Komisionit Evropian në të cilën do të kërkojë ekip ekspertësh të pavarur të cilët do të kryejnë hetim ndërkombëtar në proceset e dyshuara për ndikim politik siç janë Monstra, Alfa, Lagjja e Trimave, Almiri i vogël.

-Edhe një “etj” ma thatë.

-Kjo është premtimi i Alternativës.

Ky është një prej parimeve që Alternativa vuri si kusht për të hyrë në Qeveri. Por mbrëmë në Click Plus kryetari i Alternativës Afrim Gashi tha se partia e tij nuk ka fuqi ta detyrojë Komisionin Evropian të sjellë ekspertë të jashtëm, por vetëm të dërgojë kërkesë. Madje shtoi se është tendencioze të mendohet se Alternativa do të sjellë komisionin për hetim ndërkombëtar.

-Nëse mendoni që ne kemi aq fuqi që ta detyrojmë BE-në, Komisionin Evropian, Këshillin e Evropës apo gjithë mekanizmat tjerë evropian që t’i detyrojmë ata të bëjnë ndonjë komision atëherë mendoj se është tendencioze që të pritet prej neve një gjë e tillë.

-Vetëm sa ma thatë ju se nëse mendoni se Alternativa do ti sjellë ata me zor…

-z.Fatmir Aliu ju lutem më lini ta mbaroj përgjigjen. Kurrë Afrim Gashi nuk krijon shpresa të rrejshme. Para se ta flas, në momentin e parë që kam fol për këtë çështje kam qenë me letër në dorë të nënshkruar nga Zoran Zaev dhe Afrim Gashi dhe kam thënë kjo është marrëveshja. Si e lexojnë njerëzit, si e interpretojnë njerëzit si dëshirojnë ta interpretojnë njerëzit dhe si e interpretuar ju është tejet tendencioze.

-Pse po më thoni tendencioze që po i ngjallni shpresë njerëzve do të vendosni drejtësi.

Ndër të tjera Gashi shtoi se gjyqësori në RMV është i politizuar, partizuar dhe i etnizuar dhe për ta çliruar gjyqësorin nga këto ndikime ai planifikon me partnerët e tij qeveritar të ndërtojë strategji nacionale për sundim të ligjit.

“Tash çka do të bëni me LSDM-në dhe BDI-në nëse se kanë bërë ata 4 vite që po thoni edhe ju edhe unë. Si do e bëni pra?  -Unë po them, po vazhdoj ta them dhe do ta them përsëri se çfarë angazhohet Afrim Gashi dhe Alternativa. -Por, nuk thoni a do bëhet? -Po nuk e di a do bëhet”, tha Gashi.

Sipas tij, për realizimin e gjërave të premtuara nuk varet gjithçka nga Qeveria sepse shpesh ligjet bllokohen në Kuvend edhe nga opozita.