Gashi: Deklaratat e Ali Ahmetit kundër Albin Kurtit, dëmtojnë pozicionin e Kosovës karshi Serbisë (Video)

LAJM: Si i komentoni deklaratat e Ali Ahmetit se Albin Kurti po përzihet në punët e brendshme të shqiptarëve të Maqedonisë?

Afrim Gashi: Mendoj se janë deklarata jokorrekte, joparimore, sidomos nga një politikan i cili ka qenë i ndihmuar nga Shqipëria e Kosova 20 vitet e kaluara në çdo cikël zgjedhor. Por edhe tani kur Edi Rama e Shqipëria çdo ditë i ndihmojnë z.Ahmeti duke e zgjedhur personalitet të vitit, duke e ftuar nëpër media çdo ditë. Nuk zgjedhin metoda se si ta ndihmojnë. Së paku, ai nuk ka të drejtë të bëjë deklarata të këtilla. Aq më tepër që ne duke qenë parti opozitare, asnjëherë nuk kemi kërkuar distancim nga Shqipëria dhe Kosova edhepse ata kanë qenë kundër nesh. Prandaj, mendoj se është deklaratë shumë joparimore. Natyrisht, se ne shqiptarët e Maqedonisë i dimë punët tona. Qytetarët do të duhet të vendosin me vullnetin e tyre, por ne nuk mund të kërkojmë nga Shqipëria e Kosova të heqin dorë nga Maqedonia.

LAJM: A mban paralelja që e bën Ahmeti për përzierjen e Kurtit në Maqedoni dhe përzierjen e Vuçiqit në Kosovë?

Afrim Gashi: Aspak. Në asnjë mënyrë. Mendoj se është paralele jokorrekte, joparimore. Nuk mund të vendosen aso paralele mes këtyre dy politikanëve aq më tepër që e dimë se cili është qëllimi i z.Kurti në Maqedoni dhe cili është i z.Vuçiq edhe në Maqedoni edhe në Ballkan. Ata kanë synim destabilizimin, riorientimin apo qëndrimin e Maqedonisë në linjën Beograd-Rusi, ndërsa z.Kurti është pro-perëndimor. Ai edhe kur e ndihmon Maqedoninë e Veriut, ai dëshiron që Maqedonia të mbetet në kursin euro-atlantik, në Bruksel e Uashington.

LAJM: A e demtojnë këto akuza të Ahmetit pozicionin e Kurtit dhe Kosovës kundrejt Serbisë?

Afrim Gashi: Mendoj se po. Këso deklarata të pamatura të cilat janë vetëm në interes të një subjekti politik, duke dashur ta njollosin z.Kurti nuk e kuptojnë se i bëjnë dëm Kosovës dhe relacioneve të Kosovës në raport me Serbinë. Duhet ta dimë se Kosova ende nuk e ka përmbyllur kapitullin e saj të fundit, njohjen ndërkombëtare. Dhe, kjo betejë edhe shumë e rëndësishme për të gjithë shqiptarët, kudoqofshin dhe sidomos për Kosovën. Në këtë betejë të Kosovës me Serbinë, çdo shqiptarë është i thirrur që t’i ndihmojë z.Kurti. Dhe jo me këso deklarata të pamatura, t’i ndihmohet Vuçiqit e Rusisë. Kjo është mënyra e vetme se si politikanë të pandërgjegjshëm për interesa personale dhe partiake, gjithë ditën e kanë gojën me Europë e me veprimet e deklarimet e tyre i ndihmojnë Rusisë e Serbisë.

LAJM: Para disa viteve kishte takime edhe mes lidereve shqiptarë nga Maqedonia dhe Edi Rames. Ju keni marrë pjesë në këto takime. A kishte reagime nga ndërkombëtarët në atë kohe për përzierjen e Ramës në politikën shqiptare në Maqedoni?

Afrim Gashi: Jo, nuk ka pasur. Natyrisht, gjithmonë parashtrohet pyetje çka kërkoni, etj… Gjithmonë ka qenë një mbulesë. Atëherë siç e dini para një viti kemi qenë në Tiranë dhe aryesja pse kemi qenë në Tiranë dihej, për shkak se doli në opinion ideja për një Qeveri pa BDI-në, për zgjedhje të parakohshme. Atëherë z.Rama u shqetësua shumë për t’i ndihmuar mikut të tij Ali Ahmetit që ta mbajë edhe më tej në pushtet se mos po ndodh që Qeveria e Maqedonisë të mbetet pa BDI-në dhe ditë e zezë, e kombshme për të. Prandaj, mendoj se nuk janë të këqija takimet, ne duhet të jemi në takime me Tiranën e Prishtinën. Interesi ynë i përbashkët duhet të jetë interesi kombëtar, duhet ta shohim interesin strategjik të shqiptarëve, por kur vie puna për punët e brendshme, secili shtet do të duhet me forcat e veta të bëjë betejën në kampin politik shqiptarë brenda shtetit ku funksionojnë. Mendoj që z.Kurti është shumë i vëmendshëm, ai ka dhënë mbështetje por natyrisht mbështetja vie përmes njerëzve që janë këtu. Nuk ka mbështetje konkrete dhe përzierje të shtetit të Kosovës në Maqedoninë e Veriut në asnjë mënyrë. Por, mbështetja si politikan, si parti e cila i jepet një subjekti është e natyrshme dhe kjo është trend edhe në Europë. Partitë popullore, i ndihmojnë partive popullore, kudo dhe kurdo që kanë ato zgjedhje dhe partitë socialiste gjithashtu. Kjo njihet si një lloj mbështetje dhe është trend evropian dhe z.Kurti mendoj se mbështetjen për ne e ka në këtë formë dhe mendoj se është në suaza të parimeve evropiane të veprimit politik të fqinjësisë së mirë.