Seanca e sotme e Parlamentit nisi me një debat rreth përdorimit të gjuhës shqipe, i nxitur nga deputetët e opozitës Rijad Shaqiri dhe Rina Ajdari, të cilët pretenduan se disa materiale parlamentare nuk janë të përkthyera në shqip.
Këto akuza u hodhën poshtë në mënyrë të prerë nga Kryeparlamentari Afrim Gashi, i cili garantoi se përkthimi në gjuhën shqipe është praktikë e pandryshueshme institucionale dhe kusht i domosdoshëm për çdo material që hyn në procedurë parlamentare.
“Ju përgjigjem edhe njëherë dhe kjo vlen për çdoherë: asnjë material nuk futet në procedurë pa u përkthyer edhe në gjuhën shqipe. Ta dini njëherë e përgjithmonë”, deklaroi Gashi nga foltorja e Parlamentit.
Ai i sfidoi drejtpërdrejt deputetët e opozitës që të identifikonin konkretisht ndonjë dokument që, sipas tyre, nuk është përkthyer, duke theksuar se çdo material i tillë do të dëshmohej se ekziston edhe në versionin shqip. Kjo sfidë mbeti pa përgjigje.
Gjatë debatit, u vu re edhe ndërhyrja e deputetit të LSDM-së, Fatmir Bytyqi, i cili në një moment u tregonte deputetëve të BDI-së se dokumenti për të cilin po flitej ishte i përkthyer në gjuhën shqipe, fakt që u injorua gjatë diskutimit.
Njohës të zhvillimeve parlamentare vlerësojnë se kjo situatë reflekton përpjekje të opozitës për të ndërtuar një narrativë politike, më shumë sesa për të adresuar një problem real institucional. Sipas këtyre vlerësimeve, bëhet fjalë për një tentativë për të krijuar tension dhe pasiguri, duke prekur çështje të ndjeshme për opinionin shqiptar.
Debati vjen në një periudhë kur Ligji për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat, i hartuar nga VLEN, ka marrë mendim pozitiv nga Komisioni i Venecias, një zhvillim që shihet si sukses institucional dhe që ka rritur nervozizmin në radhët e opozitës.
Në mungesë të argumenteve konkrete dhe rezultateve politike, opozita po tenton, sipas vëzhguesve, të shpërqendrojë vëmendjen e publikut duke fabrikuar kriza që nuk kanë bazë faktike.




