Tema për integrimet në BE ka dominuar në takimet në Londër, tha kryeministri Hristijan Mickoski. Ai është takuar me ministrin francez për Evropën, të afërt me presidentin Macron, të cilit ia ka përcjellë qëndrimet e Maqedonisë.
“Duhet të ketë dorëzim në pjesën e garancisë nga vetë Bashkimi Evropian, duhet të ketë dorëzim nga fqinji ynë lindor në pjesën e respektimit të së drejtës ndërkombëtare, respektimit të institucioneve evropiane, siç është Gjykata për të Drejtat e Njeriut, integrimin e komunitetit maqedonas brenda Këshillit Ministror për pakicat te fqinji ynë lindor, e kështu me radhë. Këto nuk janë kushte shtesë – kjo do të thotë partneritet, kjo do të thotë marrëdhënie të mira fqinjësore”, tha Hristijan Mickoski.
Ndërkohë që Mickoski kërkon garanci, nga i njëjti samit në Londër përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikë të jashtme, Kaja Kallas, dërgoi sinjal tjetër. Sipas saj, dera për anëtarësim tashmë është e hapur.
“Dritarja për zgjerimin e BE-së tani është hapur gjerë. Sot në Londër u takuam me partnerët tanë nga Ballkani Perëndimor për ta thelluar bashkëpunimin tonë në fushën e sigurisë, energjetikës dhe ekonomisë. Zgjerimi i BE-së është një investim gjeostrategjik në sigurinë e gjithë Evropës. Së bashku mund ta kapërcejmë këtë”, u shpreh Kaja Kallas, Përfaqësuese eLartë E BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri.
Pavarësisht kërkesave, Mickoski në një intervistë për TVM tha se mbetet optimist, veçanërisht pas, siç e quajti ai, diskutimit frymëzues me kancelarin gjerman Merc, i cili ka dhënë drejtim të qartë se si e sheh rajonin në të ardhmen. Megjithatë, kryeministri theksoi se më e rëndësishme mbetet detyra e brendshme.
“Unë mbetem optimist, por e rëndësishme është të dorëzojmë detyrën e brendshme. Kjo është më e rëndësishmja – këto janë reformat dhe këtë do ta bëjmë në periudhën që vjen. E ardhmja e shtetit është brenda Bashkimit Evropian – ky është një nga qëllimet tona të fundit strategjike. Ne do të bëjmë gjithçka që është në fuqinë tonë për ta përmbushur këtë qëllim strategjik, por njëkohësisht edhe për t’i mbrojtur interesat maqedonase”, u shpreh Mickoski.
Përveç eurointegrimeve, në samit është biseduar edhe për sigurinë, ku Mickoski ka theksuar projektet energjetike si interkonektorët e gazit me Greqinë dhe Serbinë dhe rëndësinë e korridoreve 8 dhe 10. Ndërsa kryeministri britanik Starmer i ka ofruar ndihmë nga ekspertët dhe policët britanikë për mbrojtjen e kufirit juglindor nga migracioni i paligjshëm.