Gara e huqur për presidentin shqiptar!

Shkruan: Medai Shaholli

Gara për president të “drzhavës” tashmë ka filluar dhe dy garuesit shqiptar i kanë hyrë kësaj rruge qorre që nuk i shpie askund, me dëshirën e madhe secili prej tyre, për t’i bindur militantët e verbër të besojnë në përrallën e stisur të presidentit shqiptar.

Megafonët e pozitës dhe opozitës shqiptare po gjëmojnë gjithandej nëpër sallat dhe lokalet e restoranteve nga zhurma e kakofonisë së fjalimeve të tyre para elektoratit shqiptar gjatë shtrimit të iftareve për besimtarët, duke i përrallisur ata me rrëfenja pafund për presidentin shqiptar.

Të dy pretendentët e pashpresë si z.Taravari dhe z. Osmani, edhe pse e dinë se nuk do të zgjidhen president të “drzhavës”, përkundrazi po vazhdojnë lojën e stisur të zgjedhjes së presidentit shqiptar duke nanurisur elektoratin dele me gjepura për të ardhmen nëse ata zgjidhen president të “drzhavës”.

Njëri nga kandidatët sllavo-maqedonë Pendarovski ose Siljanovska-Davkova, do të zgjidhet president i “drzhavës” për faktin e thjesht se do të arrijë të mbledh 51% të votave të nevojshme për të qënë presidenti i “drzhavës Severna” dhe këtu nuk ka asnjë dilemë.

Kandidatët shqiptarë të vënë në lojë në këtë garë nuk arrijnë dot të dy së bashku të mbledhin 45% të votave të përgjithshme të elektoratit shqiptar, ndaj tubimet e organizuara me elektoratin shqiptar nuk i shërbejnë shqiptarëve pasi ato janë thjesht humbje kohe për një kauzë të parealizueshme për shkak të numrave të paarritshëm me votues shqiptarë.

Ndaj, “loja e madhe shpërblyese” me shqiptarët për kandidatin shqiptar për president të “drzhavës” është menduar qysh më parë, se për të mbajtur lartë moralin e votuesve shqiptarë për zgjedhjet parlamentare është gjendur sajesa se ja dhe ne kemi kandidatin tonë për president të vendit, që gjethsesi nuk do të zgjidhet.

Megjithatë, i urojmë suksese në garën e stisur për president të “drzhavës”!