Ganiu: Pendarovski i painformuar! Për rrugën “Adem Demaçi” në Çair, respektuam të gjitha procedurat!

Kryetari i komunës së Çairit, Visar Ganiu, ka reaguar ndaj deklaratave të presidentit maqedonas Stevo Pendarovski, i cili një ditë më parë kërkoi kërkoi sanksionimin e organizatorëve të aktiviteteve të ditës së premte në Çair dhe në Tetovë, gjatë vizitës së kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, “për shkelje të ligjeve të vendit”.

Ganiu për gazetën LAJM, tha se për të gjitha aktivitetet gjatë vizitës së Kurtit, si dhe emërtimin e rrugës “Adem Demaçi” në Çair janë respektuar të gjitha procedurat.

Sipas, Ganiut, reagimi i Pendarovskit mund të jetë si rezultat i mungesës së informacioneve të sakta lidhur me këto aktivitete.

“Pendarovski në deklaratën e tij kishte disa lëshimë që sigurisht nuk ka qenë mirë i informuar, apo këshilltarët nuk e kanë informuar si duhet sepse ne i kemi kaluar të gjitha procedura për emërtimin e asaj rruge. E kemi kaluar edhe në Këshillin komunal tek ne edhe në Këshillin e Qytetit të Shkupit, në kohën e Petre Shilegovit, kur këto vendime janë bërë të plotëfuqishme dhe kanë dal edhe në gazetën zyrtare. Prej kohësh edhe në Google Map e ke rrugën “Adem Demaçi”. Pra, gjithçka është zyrtare. Edhe organizmi që e kemi bërë atë ditë”, tha Ganiu për gazetën LAJM.