Ganiu: Nevojitet edhe një mandat për të përfunduar “Kontrata” dhe sheshi “Skenderbeu” (Video)

Kryetari i komunës së Çairit, Visar Ganiu, thotë se për të realizuar projektet që dalin nga platforma e tij “Kontrata” me të cilën garoi në zgjedhjet lokale të vitit 2017, i nevojitet edhe një mandat, shkruan gazeta LAJM.

“Me siguri që ka nevojë edhe për një mandate. “Kontrata” kur është përpiluar është përpiluar edhe me institucionet qendrore dhe disa nga procedurat për të realizuar projektet kanë qenë edhe pjesë e pushtetit qendror dhe kemi ngelur, jo që nuk i kemi nisur ato projekte por te disa kemi ngelur pa kompletimin e dokumenteve dhe për atë shkak disa projekte nuk e kanë fazën e realizimit, kurse fazën e fillimit e kanë dhe janë procedura progresive. Ju e dini që Qeveria ka sjellur vendim për të bërë edhe investime strategjike”, tha Ganiu.

I pyetur se pse nuk ka përfunduar akoma faza e tretë e sheshit “Skenderbeu” në Shkup që filloi të ndërtohet në vitin 2009, Ganiu tha se procedurat e kanë vështirësuar realizimin e këtij projekti në kohë.

“Ne si komunë e Çairit me të gjitha shërbimet e komunës, me kryeministrin, zv.kryeministrin kemi biseduar që të gjitha investimet për parkingjet në kate dhe faza e tretë e sheshit “Skenderbeu” të shkojnë në pako dhe të kalojnë në një ligj të posaçëm për t’i lehtësuar procedurat për realizimin e këtyre projekteve. Edhe një herë dua ta përsëris, procedurat e kanë vështirësuar realizimin e këtyre projekteve. Përndryshe, garazhet në kate dhe faza e tretë e sheshi “Skenderbeu” do të ishin temë e harruar dhe do t’i kishim të gjitha këto investime në Çair”, tha kryetari i komunës së Çairit, Visar Ganiu./Gazeta LAJM